
GREQI- Fermerët grekë që kishin bllokuar me traktorët e tyre qendrën e Athinës janë larguar paraditen e sotme, ndërsa pritet që të kenë tubime të tjera në rast se kërkesat e tyre nuk realizohen. Protesta e tyre vjen pas një vale tubimesh të ngjashme në disa shtete europiane, përfshirë Gjermaninë, Italinë dhe Francën. Ata kaluan dy netë në qendër të Athinës, ndërsa kundërshtojnë rritjen e çmimit të karburantit dhe kostos së prodhimit. Në protestë dyshohet se kanë marrë pjesë të paktën 8 mijë personash, duke i bërë jehonë protestave të ngjashme që janë mbajtur në Europë.
“Ne e morëm këtë vendim dhe tani po presim rezultatin”, tha bujku Konstantinos Kyriakopoulos, 34 vjeç, nga rajoni jugor i Greqisë, Mesinia. Bujqit thonë se janë prekur edhe nga ndryshimi klimatik, pasi vërshimet e paparashikueshme, të nxehtit ekstrem dhe zjarret janë duke e bërë punën e tyre edhe më të rrezikshme. Në një kohë që protesta e tyre ka paralizuar disa akse kryesore në Greqi, sindikatat janë në bisedime me qeverinë e Kyriakos Mitsotakis për ndihmë financiare.
Qeveria u ka ofruar atyre deri tani zbritje në faturën e energjisë elektrike si dhe zgjatjen e subvecioneve që ata do të marrin për naftën deri në fund të këtij viti.
Qeveria greke ka thënë se është e gatshme të bisedojë për një skemë të përhershme për zbritje tatimore, por nuk ka shanse për ulje shtesë këtë vit.
Protestat e fermerëve kanë kaluar edhe kufijtë e Europës. Në Indi, policia përdori gaz lotsjellës të mërkurën për t’i shpërndarë mijëra bujq protestues, të cilët kërkuan ta rifillonin një marsh në Nju Delhi, pasi e hodhën poshtë një ofertë të Qeverisë për çmimet e produkteve të tyre.