Bota

Fëmijët e dy spiunëve as nuk e dinin se ishin rusë, Putin i foli spanjisht...

Ata as nuk e dinin se kush ishte Putini...

I.F
Fëmijët e dy spiunëve as nuk e dinin se ishin rusë, Putin i
Anna Dultseva, vajza e saj dhe Vladimir Putin

MOSKË- Fëmijët e dy agjentëve të inteligjencës ruse, të cilët ishin në mesin e të arrestuarve të liruar si pjesë e një shkëmbimi historik të të burgosurve, mësuan kombësinë e tyre vetëm kur u dërguan në Moskë. Prindërit e tyre, Artem Dultsev dhe Anna Dultseva, ishin në mesin e 24 të burgosurve të shkëmbyer si pjesë e një marrëveshjeje komplekse mes shumë vendeve, ku u liruan të burgosur të profilit të lartë amerikanë dhe disidentë rusë.

“Dyshja ishin prezantuar si një çift argjentinas dhe jetonin në Slloveni ku u dënuan për spiunazh. Dy fëmijët e tyre u kthyen me ta të enjten nga Turqia. Djali dhe vajza mësuan se ishin rusë vetëm kur avioni u ngrit nga Ankaraja”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Presidenti rus Vladimir Putin i përshëndeti ata në pistë në spanjisht pasi ata nuk flisnin rusisht dhe nuk e dinin se kush ishte Putin, sipas Peskov.

“Kur fëmijët zbritën nga shkallët e aeroplanit, ata nuk flasin rusisht, dhe Putini i përshëndeti në spanjisht. Ai u tha “Buenas noches”. Ata pyetën prindërit e tyre dje se kush ishte ai që po i takonte. Ata as nuk e dinin se kush ishte Putini”, shtoi Peskov.

Pasi zbriti nga shkallët e avionit, Dultseva, duke mbajtur lotët e saj, përqafoi Putinin, i cili qëndronte në tapetin e kuq të duke mbajtur buqeta me lule. Putin puthi Dultsevën në faqe dhe i dha asaj dhe vajzës buqeta me lule. Putin përqafoi shkurtimisht gjithashtu Dultsev dhe më pas pjesën tjetër të rusëve të liruar, përpara se grupi të ecnin së bashku në tapetin e kuq larg avionit. Shkëmbimi masiv i së enjtes ishte rezultat i disa vitesh negociatash të ndërlikuara në prapaskenë që përfshinin SHBA-në, Rusinë, Bjellorusinë dhe Gjermaninë, duke e çuar përfundimisht Berlinin të pajtohej me kërkesën kryesore të Moskës, lirimin e vrasësit të dënuar rus Vadim Krasikov.

Gjithsej 8 persona, përfshirë Krasikov, u dërguan përsëri në Rusi në këmbim të lirimit të 16 personave që mbaheshin në paraburgimin rus, duke përfshirë ish-marinsin amerikan Paul Whelan, reporterin e ëall Street Journal Evan Gershkovich dhe dy amerikanë të tjerë. Dultsev dhe Dultseva u deklaruan fajtorë për spiunazh në një gjykatë në Lubjanë të mërkurën dhe u dënuan me burg.

Teksa jetonte në Slloveni, Dultsev prezantohej si një biznesmen IT i quajtur Ludvig Gisch. Pasi u deklarua fajtor, ai u dënua me më shumë se 1 vit e gjysmë burg. Ai ishte caktuar të deportohej në Rusi dhe iu ndalua hyrja në Slloveni për 5 vjet. Dultseva prezantohej si një tregtare arti dhe pronare galerie dhe quhej Maria Rosa Mayer Munos. Ajo gjithashtu ishte vendosur të dëbohej.

Gjatë bisedës me gazetarët, Peskov zbuloi gjithashtu disa detaje shtesë të negociatave të shkëmbimit të të burgosurve midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke thënë se ato kryheshin kryesisht përmes FSB-së dhe CIA-s. Kur u pyet për rusët e tjerë të ndaluar jashtë vendit, Peskov tha se “fati i të gjithë rusëve tanë që mbahen në paraburgim jashtë vendit, në Shtetet e Bashkuara, është një çështje shqetësimi i vazhdueshëm për të gjitha agjencitë tona përkatëse, të cilat do të vazhdojnë punën përkatëse”. /ZËRI/

Poll

MOS HUMB