Bota

Çfarë diskutuan për 2 orë! Trump optimist - por i pakët në detaje, Putini doli para mediave (E PLOTË)

Ndryshe nga Trump që reagoi në rrjetet sociale, Putin doli para gazetarëve.

k.m.
Çfarë diskutuan për 2 orë! Trump optimist - por i
Donald Trump dhe Vladimir Putin

SHBA- 2 orë është zhvilluar biseda mes dy presidentëve, Donald Trump dhe Vladimir Putin. Pas përfundimit të bisedës, Trump ndau detaje në rrjetin e tij social "Social Truth", por u tregua i kujdesshëm që ta paraqiste çdo paqe të ardhshme si diçka që mund të ishte ekonomikisht e dobishme si për Rusinë ashtu edhe për Ukrainën. Po ashtu, Reuters raporton se këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov, u tha gjithashtu gazetarëve se të dy udhëheqësit diskutuan shkëmbimin e nëntë qytetarëve rusë dhe nëntë amerikanëve, si pjesë e një diskutimi më të gjerë mbi përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Mirëpo ky detaj nuk përmendur në postimin e presidentit amerikan. 

POSTIMI I PLOTË I TRUMP:

Sapo përfundova një bisedë dy-orëshe me Presidentin rus Vladimir Putin. Besoj se shkoi shumë mirë. Rusia dhe Ukraina do të fillojnë menjëherë negociatat për një armëpushim, dhe më e rëndësishmja - për FUNDIN e luftës. Kushtet do dakordësohen midis dy palëve, sepse kjo është e vetmja mënyrë - ato i dinë detajet e negociatave që askush tjetër nuk mund t’i dijë. Toni dhe fryma e bisedës ishin të shkëlqyera. Nëse nuk do të ishin, do ta thoja tani, jo më vonë. Rusia dëshiron TREGTI të gjerë me Shtetet e Bashkuara kur të mbarojë kjo "gjakderdhje" katastrofike, dhe unë do pajtohem me këtë propozim. Ekziston një mundësi e madhe për Rusinë për të krijuar një numër të madh vendesh pune dhe pasurie. Potenciali i saj është i PAKUFIZUAR. Po kështu, Ukraina mund të jetë një fituese e madhe në tregti, gjatë rindërtimit të vendit të saj. Negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës do të fillojnë menjëherë. E informova Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy; Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen; Presidentin francez Emmanuel Macron; Kryeministren italiane Giorgio Meloni, Kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe Presidentin finlandez Alexander Stubb për këtë telefonatë - të gjithë më kontaktuan menjëherë pas bisedës me Presidentin Putin. Vatikani, i përfaqësuar nga Papa, ka shprehur interes të madh për të pritur bisedimet. Le të fillojë procesi.

Por ndryshe nga Trump që reagoi në rrjetet sociale, Putin doli para gazetarëve. Presidenti rus Vladimir Putin tha se përpjekjet për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë janë "në rrugën e duhur" dhe se Moska është e gatshme të punojë me Ukrainën për një memorandum mbi një marrëveshje paqeje në të ardhmen.

"Shkaqet themelore të krizës në Ukrainë duhet të eliminohen. Atëherë mund të negociojmë paqen,”- tha Putin dhe i intrigoi shumë njerëz të mendonin se çfarë donte të thoshte saktësisht dhe nëse “thumboi” presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

"Ne ramë dakord me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Rusia do të propozojë dhe është e gatshme të punojë me palën ukrainase mbi një memorandum mbi një marrëveshje të mundshme paqeje në të ardhmen, e cila do të përcaktonte elementë të shumtë, parime të zgjidhjeve, por edhe do përcaktonte afate kohore për një marrëveshje të mundshme,"- u tha Putin gazetarëve pranë vendpushimit Soçi në Detin e Zi.

Putin tha se nëse arrihen marrëveshje të përshtatshme, mund të arrihet një armëpushim, duke shtuar se negociatat e drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës "japin arsye për të besuar janë përgjithësisht në rrugën e duhur".

"Dua të theksoj se qëndrimi rus është i qartë. Për ne, gjëja më e rëndësishme është të eliminojmë shkaqet rrënjësore të kësaj krize. Është e nevojshme vetëm të përcaktohen mënyrat më efektive për të arritur paqen. Ishte një bisedë shumë informuese dhe mjaft e sinqertë, dhe shumë e dobishme në këtë drejtim. Para së gjithash, e falënderova presidentin amerikan për mbështetjen e SHBA-së në vazhdimin e negociatave të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës për një marrëveshje të mundshme paqeje.  Presidenti amerikan shprehu qëndrimin e tij për armëpushimin. Nga ana ime, përmenda se Rusia gjithashtu mbështet një zgjidhje paqësore të krizës ukrainase. Ne thjesht duhet të përcaktojmë mënyrat më efektive për të arritur paqen,"-tha Putin.

Megjithatë, vlen që të theksohet se Vladimir Putin dhe Donald Trump nuk diskutuan një afat kohor për një armëpushim në Ukrainë. Ndaj, në këto kushte, arsyet për optimizmin e Trumpit nuk janë veçanërisht të qarta./ZËRI

Poll

MOS HUMB