
GAZA- Si pasojë e sulmeve intesive që janë duke ndodhur prej mbrëmjes së djeshme në Gaza, shumë prej organizatave ndërkombëtare kanë humbur kontaktin me stafet e tyre.
Unicef thotë se ka humbur kontaktet me stafin në Gaza. "Jam jashtëzakonisht e shqetësuar për sigurinë e tyre dhe për një natë tjetër tmerri të papërshkrueshëm për 1 milion fëmijë," shkroi Catherine Russell, drejtore e përgjithshme e Unicef, në 'X'.
Po ashtu organizata bamirëse e njohur si Mjekët pa Kufij, tha se kishte humbur kontaktet me disa nga kolegët e saj palestinezë në terren.
Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, grupi tha se ishte "veçanërisht i shqetësuar për pacientët, stafin mjekësor dhe mijëra familje që strehohen në spitalin Al Shifa dhe objekte të tjera shëndetësore".
“Ne bëjmë thirrje për mbrojtjen pa mëdyshje të të gjitha objekteve mjekësore, stafit dhe civilëve në të gjithë Rripin e Gazës”, tha MSF.
Faqja e internetit e MSF thotë se e zhvendosi personelin mjekësor ndërkombëtar në jug të Gazës më 13 tetor, pas urdhrit të evakuimit të Izraelit. Para kësaj, grupi kishte një vend operacional në Al Shifa në veri të Rripit të Gazës. Al Shifa është spitali kryesor i qytetit të Gazës.
Më herët, një zëdhënës ushtarak izraelit pretendoi se Hamasi po e përdorte spitalin si mburojë për tunelet e nëndheshme dhe qendrat komanduese. Hamasi e ka mohuar këtë akuzë, ndërkohë që bilanci i viktimave në 24 orët e fundit është rritur, edhe pse deri tani nuk raportohen shifra zyrtare.