Bota

Sulmet në Detin e Kuq/ Rebelët Houthi godasin anijen greke

Lëvizja Houthi ka goditur një tjetër anije në Detin e Kuq në Jemen, e cila ishte në pronësi greke.

D.XH
Sulmet në Detin e Kuq/ Rebelët Houthi godasin anijen greke
Sulmet e Houthi ne Detin e Kuq

JEMEN - Lëvizja Houthi ka goditur një anije tjetër në Detin e Kuq në Jemen, thotë grupi rebel i mbështetur nga Irani. Anija transportuese, e cila në shumicë është në pronësi greke, ‘Zografia’, po lundronte nga Vietnami për në Izrael, kur u godit të martën. Mësohet se anija ka pësuar vetëm dëme të vogla.

Incidenti vjen, pasi ushtria amerikane njoftoi se kishte konfiskuar armë të furnizuara nga Irani për Houthis, gjatë një operacioni javën e kaluar. Ndërkohë, SHBA-ja ka goditur më shumë objektiva në zonat e kontrolluara nga Houthi të Jemenit. Katër raketa balistike kundër anijeve që ishin gati për t'u lëshuar u shkatërruan, tha një zyrtar për CBS, partneri amerikan i BBC-së.

SHBA dhe Britania e Madhe nisën një valë sulmesh ajrore kundër dhjetëra objektivave Houthi më 11 janar pas sulmeve të grupit ndaj anijeve në Detin e Kuq. Huthit filluan të sulmojnë anijet tregtare në nëntor, duke thënë se po i përgjigjeshin operacionit ushtarak të Izraelit në Gaza.

Të martën, zëdhënësi ushtarak i Houthi, Yahya Sarea tha se ‘Zografia’ ishte shënjestruar nga raketat detare. Anija në pronësi greke, e regjistruar në Maltë, ishte bosh dhe kishte 24 persona në ekuipazh në bord. Nuk ka raportime për të lënduar. Houthi-t thonë se ata po sulmojnë anijet që janë në pronësi ose operim izraelit, ose po shkojnë drejt porteve izraelite. Megjithatë, shumë nga anijet e synuara nuk kanë lidhje me Izraelin. Të dielën, SHBA tha se kishte rrëzuar një raketë të nisur drejt një prej anijeve të saj luftarake, nga një zonë Houthi në Jemen.

Një ditë më vonë, grupi tha se ata kishin kryer një sulm me raketa balistike në një anije mallrash në pronësi të SHBA-së në Gjirin e Adenit. Deti i Kuq lidh Oqeanin Indian me Mesdheun nëpërmjet Kanalit të Suezit, por disa linja detare kanë njoftuar se tani po devijojnë rreth Kepit të Shpresës së Mirë, për të arritur në Evropë. Gjigandi britanik i naftës Shell të martën u bë i fundit që pezulloi të gjitha dërgesat e tij përmes Detit të Kuq për një kohë të pacaktuar, sipas Wall Street Journal.

SHBA tha të martën se kishte konfiskuar armë të avancuara iraniane që po transportoheshin te Houthis. Operacioni u zhvillua pesë ditë më parë. Materiali i gjetur në bordin e një varke me vela përfshinte komponentë për raketa balistike dhe të lundrimit, mes tyre armë luftarake dhe sisteme udhëzimi. Gjithashtu janë sekuestruar pjesë për pajisje të mbrojtjes ajrore. Irani mohon se qëndron pas sulmeve të grupit Houthi./ZËRI/

Poll

MOS HUMB