
KOSOVË- I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas vizitës në Kosovë ka deklaruar se Kryeministri Albin Kurti ka refuzuar propozimet që i janë bërë nga ndërkombëtarët për dinarin serb. Deklaratën e bëri në një intervistë për Radion Europa e Lirë. Escobar tha më tej se në këto kushte duhet bërë diçka urgjente pasi negociatat nuk patën rezultate.
Gabriel Escobar: Unë i kërkova kryeministrit ta suspendojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës. Por, tani, ne duhen të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë.
Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, dinari serb është në qarkullim që nga paslufta. Shteti serb u paguan paga, pensione, beneficione sociale dhe përfitime të tjera serbëve në Kosovë përmes një sistemi paralel. Ligji për Financat e Energjisë Lokale në Kosovë lejon ndihmën financiare nga Serbia. Shteti serb ka ndarë 139 milionë euro për serbët në Kosovë për vitin 2024, rreth 11 milionë më shumë se në vitin 2023. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se vendimi i Bankës Qëndrore të Kosovës, për ndalimin e dinarit serb në tregun kosovar është një metodë e kryeministrit Albin Kurti për të përzënë komunitetin serb. Sipas tij shfuqizimi i dinarit serb është një sulm ndaj të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara që nga viti 1999.
Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, duke e përjashtuar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit hyri në fuqi më 1 shkurt pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i saj. Autoritetet e Beogradit thanë se zbatimi i rregullores po kërcënon mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikuan ashpër për këtë çështje qeverinë e Kosovës duke vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në. Çështja e dinarit serb pritet të diskutohet në Bruksel./ZËRI