
ANKARA - Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan duke mbajtur një fjalim këtë të shtunë, ka akuzuar Perëndimin për "barbarizëm" në qëndrimin ndaj luftës Izrael-Hamas dhe tha se shtetet perëndimore i kanë hapur rrugën islamofobisë. “Izraeli ka kryer mizori dhe masakra që do të turpërojnë mbarë njerëzimin”, tha Erdogan në një sallë të mbushur plot në Stamboll, një ditë përpara 75-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.
“Të gjitha vlerat që kanë të bëjnë me njerëzimin po vriten në Gaza. Përballë një brutaliteti të tillë, institucionet ndërkombëtare dhe organizatat e të drejtave të njeriut nuk po ndërmarrin asnjë hap konkret për të parandaluar shkeljet e mëdha që ndodhin atje”, tha kreu i shtetit turk. Deklarata e të drejtave të njeriut, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB në Paris më 10 dhjetor 1948, parashikon një standard për të drejtat dhe liritë e njeriut për të gjithë njerëzit.
Duke iu referuar vetos së SHBA-së gjatë së premtes ndaj një rezolute të Kombeve të Bashkuara, që bën thirrje për një armëpushim humanitar në Gaza, Erdogan tha se një botë më e drejtë ishte e mundur, “por jo me Amerikën, sepse SHBA është me Izraelin”.“Që tani e tutje, njerëzimi nuk do të mendojë se SHBA-të mbështesin Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut”, tha Erdogan.
Edhe të dhënat e Turqisë për të drejtat e njeriut gjatë dy dekadave në pushtet të Erdoganit janë kritikuar shpesh, kryesisht për masat që kanë të bëjnë me shënjestrimin e kritikëve të qeverisë dhe kundërshtarëve politikë, minimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe dobësimin e institucioneve demokratike.
Turqia u tërhoq nga Konventa e Stambollit për parandalimin dhe dhunën ndaj grave dhe nuk ka arritur të zbatojë vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ai i tha audiencës së entuziazmuar se e vetmja vlerë që Perëndimi mban ende gjallë është barbarizmi. “Ne e kemi parë këtë shembull të barbarizmit të Perëndimit në të gjitha ato ngjarje fatkeqe që ata ose i mbështetën ose i kryen”, tha ai.
Erdogan përmendi sulmin e vitit 2019 në xhami në Christchurch të Zelandës së Re, në të cilin një person i armatosur vrau 51 njerëz, si një sulm islamofobik që ishte legjitimuar dhe madje inkurajuar nga Perëndimi. "Sipas kuptimit të tyre, joperëndimorët nuk kanë të drejtë të gëzohen dhe as të drejta universale të njeriut. Ata anashkalojnë sulmet islamofobike dhe tregojnë perceptimin dhe mentalitetin e shtrembëruar të Perëndimit", tha ai.
Në tetor, Erdogan i tha një turme masive protestuesish në Stamboll se qeveria e tij po përgatitej ta shpallte Izraelin një shtet "kriminel lufte", për shkak të veprimeve të tij në Rripin e Gazës. Qeveria izraelite tha në përgjigje se do të rivlerësonte marrëdhëniet e saj diplomatike me Turqinë./ZËRI/