
UASHINGTON- BERLIN- Donald Trump pas debatit me Kamala Harris akuzoi rrjetin televiziv “ABC” se e zhvilloi të gjithë përballjen mes tyre në favor të zëvendëspresidentes Kamala Harris. Ai tha se ky ishte një debat ku ai u ndërpre dhe moderatorët u përpoqen të korrigjonin vetëm atë dhe asnjëherë Harris.
"Ishte një debat që u manipulua në favor të Harris. Gjithkush mundet ta kuptojë këtë, pasi moderatorët e “ABC” gjithmonë më ndërprisnin dhe më korrigjonin mua por asnjëherë atë,”- tha Trump për dy gazetarët e ABC që moderuan debatin mes dy kandidatëve për president.
Në të njëjtën kohë, kandidati republikan sulmoi yllin amerikan të muzikës pop Taylor Swift, e cila, dje publikisht njoftoi se do të votonte për Harris. Trump tha se Swift do ta “paguajë” për mbështetjen që po ofron ndaj rivales së tij demokrate.
"Unë nuk jam një fans i Taylor Swift. Ajo gjithmonë duket se mbështet demokratët dhe ndoshta do të paguajë çmimin për këtë në tregun muzikor,"- tha ai.
Po ashtu, gjatë debatit, ai akuzoi Gjermaninë se po përdor centrale bërthamore për të prodhuar energji gjë që po dëmton mjedisin. Madje gjatë debatit, ai tha se emigrantët që shkojnë në SHBA, enden rrugëve dhe hanë qenë dhe mace.
“Ju besoni në gjëra që populli amerikan nuk beson, ne nuk do të marrim lëndë djegëse fosile, pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo. Gjermania e provoi këtë dhe brenda një viti vendi filloi të ndërtojë centrale bërthamore... Nuk mund ta sakrifikojmë vendin tonë për hir të një vizioni të keq. Ne jemi një komb i dështuar. Ne jemi një komb që po pësojmë një rënie serioze. E gjithë bota na tall, ata po qeshin me ne”, tha Trump gjatë debatit të tij.
Kjo deklaratë e tij ka ftohur marrëdhënien mes Berlinit dhe Trump, pasi Zyra e Marrëdhënieve Ndërkombëtare gjermane, iu përgjigj Trump duke thënë se ata po i mbyllin centralet bërthamore dhe së shpejti vendi do të varet në energjinë e rinovueshme. Madje me ironi, Berlini tha se në fakt ata nuk hanë mace dhe qen.
“Të pëlqen apo jo: sistemi energjetik i Gjermanisë është plotësisht funksional, me më shumë se 50% energji të rinovueshme. Dhe ne po i mbyllim nuk po ndërtojmë centrale bërthamore. Qymyri do të jetë jashtë përdorimit deri në vitin 2038. Shënim: Ne gjithashtu nuk hamë mace dhe qen,”- thuhet në postimin e Zyrës për Marrëdhëniet e Jashtme.
Pavarësisht akuzave dhe debateve të shumta, mediat ndërkombëtare e quajnë përballjen mes dy kandidatëve për president, si fitore të Harris. Pasi zëvendëspresidetja e mundi Trump në “shtëpinë” e tij. Gjatë debatit ai shfaqi agresion, fyerje dhe mungesë respekti, një situatë që ish-presidenti amerikan nuk është përballur kurrë më parë.
“Ajo e përdori përvojen saj si prokurore dhe e “vuri atë me shpatulla pas murit”. Kjo i solli fitoren”, shkruan “Sky News”.
Kamala Harris u kujdes që të mbante të njëjtin ton zëri që prej fillimit të debatit dhe deri në fund, gjë që askush se ka bërë më parë, duke e befasuar Trump.
Gzetari i New York Times, David Firestone e quajti debatin e mbrëmshëm si një sukses për Kamala Harris, i cili thekson se kandidatja demokrate arriti diçka që Joe Biden nuk e kishte arritur në fushatën e tij të dytë zgjedhore kundër Donald Trump: Të detyrojë manjatin republikan të justifikoj veten e tij. /ZËRI