
PRISHTINË – I akuzuari për krime lufte Dushko Arkiç u shpall sot fajtor dhe u dënua 13 vite burg nga Gjykata e Prishtinës. Lajmin e ka bërë me dije për mediat e Kosovës zëdhënësja e Gjykatës Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Arkiç është akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e B.Sh më 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Prishtinës, si dhe për keqtrajtim fizik të A.K. Sipas akuzës të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 2 nëntor 2022, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar në prova se Arkiç, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe të grupeve militare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe në shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethinat e qytetit.
Në akuzë thuhet se Arkiç, së bashku me grupin ku bënte pjesë, kanë nisur të plaçkisin shtëpitë, si dhe më pas, me qëllim që t’ua dëmtojë pronën shqiptarëve, iu ka vënë zjarrin banesave. Arkiç ndër të tjera akuzohet për keqtrajtim të shqiptarëve, plagosje e deri vrasje. Ai thuhet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e shtetasit B.Sh, më 20 prill 1999, pasi në kohën që viktima ka qenë duke ecur, e ka qëlluar me automatik.
Pas kësaj, ai dhe grupi kanë detyruar një 15-vjeçar A.K., që të mbajë në shpinë trupin e të vdekurit, edhe pse adoleshentin e kishin qëlluar fizikisht, duke ia bërë të vështirë “misionin” makabër. Veprimet e bëra janë të sanksionuara në ligjet e vendit, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve të tjera./ZËRI/