
IZRAEL- Ministria e Jashtme e Izraelit tha se numri zyrtar i të vrarëve gjatë sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit është ulur në 1.200. Ndryshimi vjen një muaj pas sulmit të Hamasit, ku paraprakisht zyrtarët izraelitë kishin raportuar se 1.400 persona ishin vrarë.
Ministria nuk dha asnjë arsye për rishikimin të premten. Por një zyrtar izraelit tha se numri ishte ndryshuar pas një procesi të mundimshëm javësh për të identifikuar trupat. Zyrtari tha se numri përfundimtar i të vdekurve mund të ndryshojë ende. Ai tha se një numër trupash nuk janë identifikuar dhe është e paqartë nëse të gjithë nga 240 pengjet që besohet se mbahen nga Hamasi janë ende gjallë.
Izraeli është zotuar të shkatërrojë Hamasin dhe që nga 7 tetori ka sulmuar vazhdimisht Rripin e Gazës nga toka dhe nga ajri. Ndërkohë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, mbi 11.000 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës.