
MOSKË- Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u përball me sanksione gjatë turneut të tij në Amerikën Latine. Lavrov, pasi vizitoi Kubën dhe Venezuelën, u ndal për një takim ministror të "G20" në Brazil, por vizita diplomatike u shoqërua me një incident.
Portali "AeroTelegraph" thekson se operatori i shërbimeve të aeroportit në Rio de Zhaneiro refuzoi të mbushte me karburant avionin me të cilin udhëtonte kryediplomati rus. Pasi u pyet për mediat vendase, kompania Vibra Energia deklaroi se një vendim i tillë është marrë për shkak të sanksioneve amerikane që ndalojnë shërbimet për avionët e qeverisë ruse.
Lavrov, i cili udhëtonte për në Brasilia për një takim me presidentin e vendit Luiz Inacio da Silva, donte të kthehej në Moskë, ndaj edhe shqyrtoi mundësinë e marrjes së karburantit ngaforcat ajrore braziliane. Por edhe ai plan dështoi pasi ushtria nuk kishte karburant të mjaftueshëm.
Më pas, Lavrovit iu desh të fluturonte në kryeqytetin e Brazilit si shoqërues në avionin e ministrit të Jashtëm, Mauro Vieira.
Para mbërritjes së tij në Amerikën Latine, kreu i diplomacisë ruse përsëriti qëndrimin e tij se përpjekjet për të izoluar Rusinë kanë dështuar dhe akuzoi edhe një herë SHBA-të se po krijonte kaos në botë./ZËRI