
TAJLANDË- Parlamenti i Tajlandës zgjodhi të premten kryeministren më të re në historinë e Tajlandës, 37-vjeçaren Paetongtarn Shinawatra. Votimi u mbajt dy ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Tajlandës hoqi nga detyra ish-kryeministrin Srettha Thavisin, një vendim befasues që e zhyti mbretërinë në pasiguri të mëtejshme politike dhe ngriti shqetësime të reja mbi erozionin e të drejtave demokratike.
Vajza e Thaksin Shinawatra, kandidatja e vetme për kryeministër, u zgjodh nga parlamenti dhe tani përballet me beteja të mëdha politike. Paetongtarn është trashëgimtarja dhe e ardhmja politike e familjes Shinawatra, e cila vitin e kaluar pësoi humbjen e parë zgjedhore në më shumë se 20 vjet në pushtet dhe iu desh të arrinte një marrëveshje me armiqtë e saj, me forcat e armatosura për të formuar një qeveri.
Paetongtarn do të bëhet kryeministrja e dytë femër dhe anëtarja e tretë e familjes Shinawatra që do të bëhet kryeministre, pas hallës së saj Yingluck Shinawatra dhe babait të saj Thaksin, politikani më polarizues dhe me ndikim në vend.
Paetongtarn fitoi me lehtësi 319 vota, ose pothuajse dy të tretat e parlamentit. Ajo nuk ishte e pranishme në parlament dhe e ndoqi votimin nga selia e partisë së saj, Pheu Tai.
Zare politike
Komenti i saj i parë publik për fitoren ishte ngarkimi i një fotografie në rrjetet sociale të vaktit të saj, kofshë pule, me mbishkrimin:"Vakti i parë pasi mësoj fitoren".
Paetongtarn nuk ka qenë kurrë anëtare e qeverisë dhe vendimi për të hyrë në lojë është një kumar për Pheu Tai dhe 75-vjeçarin Thaksin, vëren Reuters.
Ajo do të përballet me sfida në shumë fronte, me ekonominë që lëkundet, konkurrencën nga një parti rivale dhe popullariteti i Feu Tai po pakësohet. Ajo duhet dhe të përmbush projektin për të shpërndarë para për popullsinë prej 500 miliardë baht (14.25 miliardë dollarë).
"Lëvizja nga Shinawatras është e rrezikshme", tha Natabhorn Bouamahakul i Vero Advocacy, duke shtuar se vë në shënjestër vajzën e Thaksin dhe e vendos atë në një pozitë të cenueshme. Babai i saj, i cili u rrëzua në një grusht shteti ushtarak në vitin 2006, Thaksin, është një nga figurat më me ndikim të Tajlandës.
Politikat e tij ekonomike dhe populiste i dhanë atij mundësinë të ndërtonte një makinë politike që ka dominuar politikën tajlandeze për dy dekadat e fundit. Thaksin u rrëzua në vitin 2006 nga një grusht shteti dhe u detyrua të largohej nga vendi i tij. Partitë politike aleate me Thaksin kanë luftuar për të mbajtur pushtetin, pasi janë detyruar të largohen për shkak të grushteve të shtetit ose vendimeve të gjykatës.
Kthimi i familjes së tij sërish në pushtet ka tërhequr vëmendjen e të gjithë botës për ngjarjet që do të vijnë. /ZËRI