
FRANCË- Pas 30 orësh marrje në pyetje për gati katër ditë, magjistratët hetues vendosën se kishin arsye për të akuzuar Sarkozy-n për manipulim të dëshmitarëve dhe komplot për të shtrembëruar rrjedhën e një çështjeje të drejtësisë.
Çështja kundër Sarkozy, një figurë me ndikim në politikën konservatore franceze, lidhet me akuzat se ai mori para nga diktatori i ndjerë libian Moamer Gaddafi, për të financuar një nga fushatat e tij zgjedhore, gjë për të cilën ai do të dalë në gjyq në vitin 2025.
Një dëshmitar kyç në atë rast, biznesmeni franko-libanez Ziad Takieddine, kishte pohuar se ai dorëzoi tre valixhe të mbushura me një total prej pesë milionë eurosh në 2006 dhe 2007.
Por në vitin 2020, Takieddine tërhoqi papritur deklaratën e tij, duke ngritur dyshime se Sarkozy mund të ketë bërë presion mbi dëshmitarin, që ai të mos dëshmojë. 68-vjeçari tashmë është dënuar për korrupsion. Ai akuzohet edhe për përpjekje për të ndikuar tek një gjyqtar.
Sarkozy, i cili ishte president i Francës nga viti 2007 deri në 2012, ka apeluar kundër vendimeve ndaj tij. Të premten, avokatët e tij thanë në një deklaratë dërguar AFP se klienti i tyre do të "mbronte nderin e tij".
Në një transkript të deklaratave të Sarkozy, gjatë marrjes në pyetje, ish-presidenti ishte mbrojtur, duke thënë se nuk kishte "asnjë provë materiale apo ndonjë përgjim për ta inkriminuar në këtë çështje".
Përveç gjyqit të financimit nga Libia, që lidhet me fushatën zgjedhore të Sarkozy-t në 2007, Sarkozy pritet të dalë në gjyq muajin e ardhshëm për shkelje të pretenduar të rregullave të financimit të fushatës, kur ai pretentoi të rizgjidhet president në vitit 2012. Këto zgjedhje, Sarkozy i humbi përballë socialistit Francois Hollande./Zëri.ai/