KOSOVË- Në parkingun e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është regjistruar një incident pasi ka shpërthyer automjeti i drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari. Ngjarja ka ndodhur në kohën kur po bëheshin përgatitjet për fillimin e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK). Rrethanat janë ende të paqarta.
Mjekët kanë njoftuar autoritetet dhe paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një shpërthim me lëndë plasëse, por ende nuk është e konfirmuar. Nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar. Policia e Kosovës ka filluar procedurat e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.
Njoftimi: Rreth orës 10:00, është pranuar informata lidhur me dyshimet për një shpërthim në një veturë në parkingun e QKUK-së. Aktualisht nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale. Policia me të gjitha njësitë relevante ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen.