Bota

Dosja e pedofilit Jeffrey Epstein, lidhjet me Donald Trump dhe Bill Clinton

Çështja e Epstein ka marrë vëmendje shumë të madhe, pikërisht për shkak të lidhjeve që ai kishte me personazhe me pushtet të vendit si Donald Trump apo Bill Clinton

Amanda Dushku
Dosja e pedofilit Jeffrey Epstein, lidhjet me Donald Trump dhe Bill Clinton
Personazhet e permendur

SHBA- Shpesh herë në sipërfaqe dalin dosje dhe dokumente që zbulojnë detaje shqetësuese për personalitete me pushtet, dhe së fundmi, një dosje ku përfshihen emrat e Bill Clinton, Donald Trump, Princit Andrew, po bën xhiron e rrjetit.

Dokumente që lidhen më procesin gjyqësor të pedofilit Jeffrey Epstein, i cili vrau veten në burg para se të dilte në gjygj, u bënë publike së fundmi, dhe ndër të tjera, përfshijnë raste të “joshjes” së vajzave adoleshente, për të shkuar në shtëpinë e tij në Florida. Dosja e publikuar përmban më shumë se 300 faqe.

Kush ishte Jeffrey Epstein?

Jeffrey Epstein ishte një milioner, i njohur për lidhjet e tij me politikanë, biznesmenë dhe yje akademikë. Epstein është akuzuar nga dhjetëra viktima për abuzim seksual dhe ai u arrestua për herë të parë në vitin 2005, me akuzën se kishte paguar një 14-vjeçare për të kryer marrëdhënie seksuale. Për shkak të lidhjeve të forta që kishte me njerëz të pushtetshëm, Epstein arriti të mos kryente dënimin e plotë. Mirëpo, në korrik të vitit 2019, ai u arrestua në aeroport në New Jersey, kur po kthehej në Amerikë nga Franca. Ai kreu vetëvrasje vetëm disa javë më vonë, në gusht, pa arritur të paraqitej para trupës gjykuese, siç ishte planifikuar.

Lidhjet që kishte

Çështja e Epstein ka marrë vëmendje shumë të madhe, pikërisht për shkak të lidhjeve që ai kishte me personazhe me pushtet të vendit si Donald Trump apo Bill Clinton.

“Kam 15 vite që e njoh Jeff. Djalë fanstastik.”, tha Trump për revistën New York në vitin 2002. “Është shumë argëtues. Madje thonë që ai i ka qejf gratë e bukura aq shumë sa unë, dhe shumë prej tyre anojnë nga një moshë e re”.

Nga ana tjetër, Bill Clinton ka udhëtuar 4 herë me avionin personal të Jeffrey Epstein, udhëtimet ai i bëri në Europë, Azi dhe Afrikë. Mirëpo, pas akuzave që dolën për Epstein, Trump dhe Clinton shprehën se nuk kishin asgjë të bënin me të.

Lidhje ai kishte gjithashtu edhe me djalin e Mbretëreshës Elizabetë, Princin Andrew.

Ata u takuan për herë të parë në vitin 1999, por janë parë bashkë më vonë në vitin 2010. Në këtë kohë, Epstein ishte dënuar disa herë për abuzim seksual me të mitur.

Pse përmenden Princi Andrew, Bill Clinton, Michael Jackson, Donald Trump në këtë dosje?

Në dosje përfshihen dëshmi të Johanna Sjoberg, e cila pretendon se Princi Andrew i ka prekur gjoksin në vitin 2001, teksa rrinin ulur në divanin e apartamentit të Epstein, në Manhattan. Pallati i Buckingham mohoi çdo akuzë.

Virginia Giuffre është një tjetër vajzë e cila pretendon se Princi e ka abuzuar seksualisht kur ishte 17 vjeç. Në vitin 2022 Familja Mbretërore i pagoi asaj miliona për të mbyllur çështjen. Nga ana tjetër, Princi Andrew tha se nuk e kishte takuar kurrë znj. Giufree dhe mohoi akuzat e saj.

Bill Clinton

Ish-Presidenti i SHBA-së, Bill Clinton është përmendur disa herë në faqet e dokumenteve, por nuk flitet për ndonjë imoralitet apo veprimtari të paligjshme. Megjithatë, Johanna Sjoberg,dëshmoi se Epstein i kishte thënë asaj dikur se ‘Clinton pëlqen vajzat e vogla”.

Donald Trump

Në dokumente përfshihet dëshmia e Johanna Sjoberg, e cila tha se teksa ishin rrugës për në një nga kazinotë e New York me Epstein, ai i kishtë thënë se do telefononte Donald Trump. “Shumë bukur, do marrim në telefon Trump”, ishte shprehur Epstein pasi piloti i kishte thënë se nuk mund të uleshin në New York, dhe do i duhej të ndalonin në New Jersey. Megjithatë, nuk ka asgjë të dyshimtë për të.

Michael Jackson dhe David Copperfield

Johanna Sjoberg tha se i kishte takuar këngëtarin Jackson dhe magjistarin Copperfield, me anë të Epstein, por nuk dëshmoi për ndonjë imoralitet nga ana e tyre. Alfredo Rodriguez, ishte një punonjës në shtëpinë e Epstein, dhe sipas dëshmisë së tij ,atij i ishtë thënë të mbante gjithmonë para me vete, per të rekrutuar vajza të vogla, për t’i çuar tek Jeffrey Epstein.

Vetëvrasja e Epstein në burg në vitin 2019 dhe marrëdhënia e ngushtë më këto personazhe, ngre jo vetëm shumë pikëpytje mbi çështjen, por edhe për lidhjet që këto personalitete kishin me një abuzues seksual, një pedofil, si Jefree Epstein.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB