
SERBI- Mercenarët serbë të cilët e quajnë veten “Arinjtë e Permit” e që po luftojnë krah forcave ruse kundër Ukrainës përmes një video kanë kërcënuar edhe Kosovën. Duke e quajtur NATO-n fashiste, ata premtojnë se sapo të përmbyllin luftën në Ukrainë do të rikthehen për të marr tokën e Kosovës.
“Përshëndetje nga Vullnetarët serbë. Përshëndesim popullin tonë, popullin e Kosovës, popullin e Republikës Srpska. ‘Permskie Medvedi’ (Arinjtë e Permit) ju premtojnë personalisht, mu nga këto anë, se sapo ta përfundojmë këtë me fashistët e NATO-s, do të vijmë atje që të kthehemi në shenjtoret tona dhe ta kthejmë atë që është e jona”, dëgjohet në videon e siguruar nga Kosovapress.
Mercenarët serbë që shihen me veshje ushtarake dhe të armatosur përshëndesin edhe serbët që jetojnë në Kosovë duke iu thënë se “janë me ta”.