Bota

'Do punojë me administratën e Biden për zgjidhje'/ Trump i shqetësuar për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë

Pas zgjedhjeve të 5 nëntorit dhe fitores së Trump, evropianët kanë frikë se SHBA do të tërhiqet nga lufta ose do ta shtyjnë për një marrëveshje që do të jetë në kurriz të Kievit.

k.m.
'Do punojë me administratën e Biden për zgjidhje'/
Donald Trump dhe Joe Biden

SHBA- Ekipi i Donald Trump do të fillojë të punojë me administratën e presidentit në largim Joe Biden për të arritur një "zgjidhje" midis Ukrainës dhe Rusisë. Kjo pasi Trump shqetësohet për "përshkallëzimin" aktual të luftës.

Pas zgjedhjeve të 5 nëntorit dhe fitores së Trump, evropianët kanë frikë se SHBA do të tërhiqet nga lufta ose do ta shtyjnë për një marrëveshje që do të jetë në kurriz të Kievit. Presidenti i zgjedhur, i cili do të marrë detyrën më 20 janar, ka formuar tashmë pothuajse të gjithë kabinetin e tij, megjithëse këto emërime duhet së pari të miratohen nga Senati.

“Presidenti Trump ka qenë i qartë për nevojën për t'i dhënë fund këtij konflikti. Ajo që duhet të diskutojmë është se kush do të ulet në tryezën (negociatat), nëse do të jetë një marrëveshje, një armëpushim, si do t'i çojmë të dyja palët në tryezë dhe cili është kuadri i një zgjidhjeje,”-tha Mike Waltz për Fox News. Ky i fundit do të marrë postin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare.

“Për një zgjidhje do të punojmë me qeverinë aktuale deri në janar dhe do të vazhdojmë ne më pas,”-shtoi ai.

Gjatë fushatës, Trump u shfaq gjithashtu kritik ndaj miliarda dollarëve që administrata Biden i ka dhënë Ukrainës pas pushtimit të Rusisë.  Po ashtu, republikani ka premtuar vazhdimisht se do t'i japë fund luftës shumë shpejt, por ende nuk e ka sqaruar sesi. 

Për Lindjen e Mesme, këshilltari i Trump foli gjithashtu për një "zgjidhje" që "do të sjellë stabilitet të vërtetë" në rajon. Trump e prezantoi Walsh, një ish-ushtar i forcave speciale, si "një ekspert për kërcënimet e paraqitura nga Kina, Rusia, Irani dhe terrorizmi global"./ZËRI

Poll

MOS HUMB