Bota

Dita e zisë në Beograd, Rama e quajti të papranueshme, Vuçiç: Gënjen!

Aleksandër Vuçiç tha se Milan Radoiçiç ndodhet në Serbi dhe se do t'i përgjigjet ftesës së organeve kompetente për t'u marrë në hetim.

k.m.
Dita e zisë në Beograd, Rama e quajti të papranueshme,
Aleksandër Vuçiç

BEOGRAD-  Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka reaguar ashpër ndaj komentit të kryeministrit Edi Rama. Kreu i qeverisë shqiptare dënoi shpalljen e ditës së zisë nga Serbia për vrasjen e tre serbëve në Veri të Kosovës, deklaratë që Vuçiç nuk e ka lënë pa lexuar. Presidenti, në fjalën e tij gjatë një intervistë për "RTS", Vuçiç tha se Milan Radoiçiç ndodhet në Serbi dhe se do t'i përgjigjet ftesës së organeve kompetente për t'u marrë në hetim.

“Milan Radoiçiç nuk u fsheh kurrë, nuk kishte turp për rolin e tij. Ai patjetër do t'i përgjigjet ftesës së organeve kompetente. Gjendet në territorin e Serbisë. Ai nuk u plagos,”- tha Vuçiç.

Në pyetjen e gazetarit se "kush i komandon njerëzit atje poshtë (në Veri të Kosovës), a i njeh ata njerëz", presidenti tha: Si nuk e njoh Milan Radoiçiçin. Më pas, i pyetur nëse ishte pikërisht ky i fundit, ai që i komandon të armatosurit, Vuçiç theksoi: Nuk po them se Milan Radoiçiç i komandon ata njerëz atje poshtë, por ju më pyetët nëse i njoh ata njerëz atje poshtë.

Duke folur për serbët e vrarë, Vuçiç tha se për të, si president, ata njerëz nuk do të jenë kurrë terroristë.

“Pavarësisht se polici shqiptar nuk ka çfarë të kërkojë në veri, nuk ka asnjë justifikim për vrasjen. Këta janë njerëz familjarë, këta janë baballarë, tre, tre dhe dy fëmijë. Dua që njerëzit ta dinë, do t'i kërkojmë të na tregojnë pamjet nga droni, sigurisht që ata duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë,”- tha Vuçiç.

Më pas, i gjeti dhe zgjidhjen.

“Dikush duhet ta detyrojë atë (Kurtin) të formojë Asosacionin e komunave serbe (ZSO0, atëherë e gjithë policia në veri do të ishte serbe.”

Duke komentuar deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të dalë me një deklaratë tjetër dhe të dënojë Ditën e Zisë së shpallur nga Serbia, Vuçiç tha se Rama nuk po thotë të vërtetën.

“Për shkak se është e vërtetë që komunat serbe në veri kanë shpallur ditë zie për shkak të serbëve të vrarë, ne jemi për të gjithë. Nuk është hera e parë që Edi Ram nuk thotë të vërtetën. Do t'ju kujtoj se çfarë ndodhi vetëm tetë vjet më parë, kur pati një konflikt në Kumanovë, mes terroristëve shqiptarë që sulmuan shtetin e Maqedonisë, një vend anëtar i OKB-së, tetë policë u vranë. Vëmendjen e kanë tek ne,"-e mbylli Vuçiç.

Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rruge nga dy kamionë pa targa në fshatin Banjskë të Zveçanit. Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, Policia i vrau tre sulmues të nacionalitetit serb, ndërsa i arrestoi 8 të tjerë. Por aksioni duket se vazhdon edhe sot. Dhjetëra automjete të KFOR-it, duke përfshirë edhe makineri të rëndë kanë kaluar rreth orës 15:00 nga Mitrovica, përmes Bajnskës në drejtim të Leposaviçit, duke u rreshtuar në kufirin e Jarinjës, por ende nuk dihet shkaku. Gjithashtu, mediat vendase raportojnë se edhe një helikopteri i KFOR-it pothuajse vazhdimisht është duke fluturuar mbi këtë zonë, duke vëzhguar situatën nga ajri. Teksa ndërkombëtarët vëzhgojnë, Policia e Kosovës vazhdon "krehjen" e terrenit, në kërkim të gjurmëve të terroristëve. Janë gjetur armë dhe municione të tjera, por nuk ka persona të arrestuar./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB