SHBA- Alexander Kasanof është emëruar nga Departamenti amerikan i Shtetit, për ta zëvendësuar Gabriel Escobarin. Në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se ai do të jetë pasuesi i Gabriel Escobar, i cili e ka mbaruar mandatin e tij.
Por kush është Alexander Kasanof?
Në biografinë zyrtare të emisarit të ri të Biden për Ballkanin Perëndimor, tregohet se diplomati Kasanof kishte shërbyer si Këshilltar Politik në Ambasadën e ShBA-së në Kiev gjatë Revolucionit Maidan, në vitin 2014. Ai po ashtu kishte qenë në të njëjtën detyrë në Kiev edhe në vitin 2022, kur kishte nisur pushtimit i Ukrainës nga Rusia.
Për kontributin në ambasadë, Kasanof kishte marrë edhe një çmim ekselencë për punën e tij aty. Alexander “Sasha” Kasanof kishte shërbyer edhe si Asistent Ekzekutiv i ish-nënsekretares për Çështjet Politike, Victoria Nuland e ushtrues i detyrës së Nënsekretarit për Çështjet Politike, John Bass. Ai ka mbajtur edhe postin Zëvendës Ndihmës Sekretar për Ballkanin Perëndimor, më parë kishte shërbyer edhe jashtë shtetit, si në Ukrainë, Irlandë, Turkmenistan dhe në Kili.
Kasanof është i diplomuar në Kolegjin Kombëtar të Luftës, Shkollën Johns Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare dhe Kolegjin Hamilton, ndërsa flet disa gjuhë: frëngjisht, italisht, rusisht dhe spanjisht.
Detyrat e Sashës në Washington përfshijnë:
Drejtor i Zyrës së Politikave dhe Programeve Globale në Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit;
Zëvendësdrejtor i Stafit të Sekretariatit Ekzekutiv (“Linja”);
Drejtor i Zyrës së Çështjeve të Evropës Lindore dhe Zëvendësdrejtor i Zyrës së Çështjeve të Kaukazit dhe Konflikteve Rajonale./ZËRI