Bota

Dinari serb/ Lajçak: Bislimi dhe Petkoviç do të takohen sërish të enjten në Bruksel

Takimi do të zhvillohet të enjten në Bruksel.

E.K
Dinari serb/ Lajçak: Bislimi dhe Petkoviç do të takohen
Besnik Bislimi, Miroslav Lajçak dhe Petar Petkoviç

BRUKSEL- I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka bërë me dije këtë të hënë se dy të negociatorët, ai i Kosovës Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviç do të takohen sërish në Bruksel në kuadër të gjetjes së zgjidhjes për dinarin serb, që ka nxitur sërish tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës. Takimi do të zhvillohet të enjten në Bruksel. Lajmin e bëri me dije përmes një postimi në Facebook.

Miroslav Lajçak: Java para pushimit të Pashkëve ka qenë një javë e shkurtër edhe pse intensive. Të hënën prita në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës, zëvendëskryeministrin Bislimi dhe të Serbisë, drejtorin Petkoviç, për të vazhduar diskutimet tona për gjetjen e një zgjidhjeje të zbatueshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. Në përgjithësi, ka qenë një takim i dobishëm. Të dyja palët patën mundësinë të shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre. Konkluduam se do të nevojitet një takim tjetër. Të dy palët do të kthehen në Bruksel këtë javë dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të kapërcejmë diferencën e mbetur të enjten.

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, duke e përjashtuar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit hyri në fuqi më 1 shkurt pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i saj. Autoritetet e Beogradit thanë se zbatimi i rregullores po kërcënon mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikuan ashpër për këtë çështje qeverinë e Kosovës duke vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në. Çështja e dinarit serb pritet të diskutohet sërish./ZËRI

Poll

MOS HUMB