
PRISHTINË- Me udhëzim të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Kuvendi i Kosovës u mblodh sërish sot për të mbajtur seancën e dytë konstituive. Për shkak se edhe në seancën e sotme, mes palëve nuk kishte konsensus, seanca u ndëpre nga kryesuesi Avni Dehari dhe do të rinisë pas 48 orësh. Edhe njëherë, Avni Dehari, nga Lëvizja Vetëvendosje, ftoi përfaqësuesit e partive politike për konsultime lidhur me mënyrën sesi do të vazhdohet më tutje.
“Letra që na ka ardhur ka dhënë sqarime në një aspekt, por nuk ka dhënë një zgjidhje përfundimtare. Ajo kërkon nga ne deputetët që të gjejmë vullnet, forcë dhe mirëkuptim që ta zhbllokojmë situatën në Kuvend,”-tha ai referuar letrës së dorëzuar në Kuvend nga presidentja Vjosa Osmani.
Nga ana tjetër, partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK fajësuan LVV-në se me ndërprerjen e seancave po tentonin që të "blinin kohë" për të bërë pazaret e tyre politike. Këto parti insistojnë që anëtarët e kabinetit qeverisës, që kanë dhënë dorëheqje me qëllim që të betohen si deputet, nuk mund të vazhdojnë punën në ekzekutiv.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se nuk ka kuptim të ndryshohet qëndrimi i partisë sa i përket votimit të raportit për verifikimin e mandateve, nëse nuk ndryshohen rrethanat.
“Përderisa nuk ndryshojnë rrethanat nuk ndryshon as qëndrimi,”- tha ai, para hyrjes në sallë plenare. Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e quajti të padrejtë ndërprerjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Abdixhiku e quajti shkelje të rëndë dhe “praktikë të mbrapshtë”, vendimin e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari për ndëprerje të seancës konstituive.
Nga ana tjetër, ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nga LVV tha se partia e saj dëshiron që të gjejë zgjidhje për situatën e krijuar në Kuvend. Ajo tha se edhe presidentja Osmani i ka kërkuar deputetëve që të gjejnë zgjidhje, dhe për këtë, sipas saj, “duhen konsultime”.
“Ne duam ta korrigjojmë vendimin e gabuar të Kuvendit, por duhet të shohim se si është mënyra për ta korrigjuar atë vendim”, tha ajo duke iu referuar mosmiratimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve. Kemi vullnet që të propozojmë mënyra se si duhet shkuar tutje. A do të jetë një komision i ri apo komisioni paraprak të bëjë përgatitjen e raportit të ri... Mund të ketë dhe propozime të tjera,”- tha Haxhiu pas ndërprerjes së seancës konstituive.