
SHBA- Unë luftoj me peshën time. Si mjek, unë e kuptoj shkencën e shtimit dhe humbjes së kilogramëve. Unë flas shpesh për nutricionin. E megjithatë, edhe me njohuri dhe burime, kam humbur dhe rifituar të njëjtat 25 kilogramë për gati 30 vjet. Ju duket edhe ju si histori e dëgjuar? Kjo është arsyeja pse edhe mjekët janë të intriguar personalisht nga zhurma rreth "ilaçëve mrekullibërës" që luftojnë obezitetin. E nisa rrugëtimin tim me Ozempic në vitin 2023. Isha në gjendjen time më të rëndë, me shenja të diabetit të tipit 2 dhe apnea të gjumit që më lidheshin me peshën.
*APNEA- Ndodh kur ndalohet frymëmarrja ndërsa jemi në gjumë
Sot jam 35 kilogramë më pak. Në mungesë të dëshirave për karbohidrate, më mbeten pyetjet: A kisha nevojë për këtë ilaç? A kemi gjetur një ilaç, apo po hapim kutinë e Pandorës? Unë nuk jam i pari dhe nuk do të jem i fundit që do të bëj pyetje. Përgjigjet mund të jenë vite larg.
Tani jam i mbërthyer nga "Ozempic". Kjo nuk është këshillë mjekësore - ju lutemi konsultohuni me mjekun tuaj përpara se të filloni ndonjë ilaç ose program trajtimi. së pari, pak shkencë. Çdo studiues i obezitetit dhe specialist klinik do t'ju thotë se obeziteti është një sëmundje multifaktoriale - që do të thotë se inputet e saj përfshijnë faktorë gjenetikë, psikosocialë, mjedisorë dhe të sjelljes.
Por mbipesha rregullohet edhe nga fizika: kaloritë që marrim dhe ato që haxhojmë. Nëse konsumojmë më shumë kalori sesa shpenzojmë, do të shtojmë peshë me kalimin e kohës. E kundërta është gjithashtu e vërtetë: konkurrentët në shfaqje si "Survivor" dhe "Naked and Afraid" pothuajse gjithmonë humbasin peshë kur u kufizohen kaloritë.
Obeziteti është kompleks por në të njëjtën kohë dhe i thjeshtë.
Pas një viti, me rezultate të shkëlqyera nga një perspektivë klinike, u përpoqa të largohesha nga Ozempic. Kur ilaçi ishte jashtë sistemit tim, oreksi im u kthye dhe rifitova 8 kilogramë në dy javë. Rreth 40 për qind e të rriturve amerikanë dhe 20 për qind e fëmijëve amerikanë janë obezë. Nëse jeni ndodhur ndonjëherë brenda kësaj kategorie, me siguri keni dëgjuar këshilla të vlefshme, por të padobishme: si psh. bëni ushtrime, kontrolloni porcionet, shmangni karbohidratet e caktuara, hani proteina dhe yndyrna, e kështu me radhë.
Ne mund të kemi sukses përkohësisht, por disa ekspertë besojnë se 80 për qind deri në 95 për qind prej nesh do të fitojnë gjithë peshën që do humbasin.
Obeziteti është thellësisht personal, por gjithashtu ndikohet dhe përkeqësohet nga forca përtej vullnetit individual. Tiparet metabolike na detyrojnë të ushqehemi, ndërkohë që industria ushqimore ka rritur sistematikisht marrjen tonë të kalorive "boshe". Vendosa të rifilloj Ozempic, jo vetëm për të ruajtur përmirësimet e mia në shëndet, por edhe për shkak të kostove. Unë kisha shpenzuar rreth 200 dollarë nga xhepi për çdo kile që kisha humbur dhe nuk do të hiqja dorë lehtë nga investimi im.
Edhe pse ne po hapim terren të ri me përdorim më të gjerë me Ozempic, efikasiteti dhe siguria e tyre për trajtimin e diabetit të tipit 2 është e dokumentuar goxha mirë. Edhe pse vullneti dhe vetëdisiplina mund të jenë të dhëna të rëndësishme dhe përcaktues të këtyre gjendjeve të sëmundjes, ne nuk i stigmatizojmë pacientët që kërkojnë trajtim me ilaçe, edhe nëse mjekimi kërkon përdorim të vazhdueshëm. Nëse ndaloni marrjen e barnave antihipertensive, presioni i lartë i gjakut do të kthehet. Sëmundjet kronike shpesh kërkojnë mjekim kronik.
Unë i kuptoj dilemat në përdorimin e Ozempic dhe barnave të ngjashme për të trajtuar peshën e pashëndetshme. Në nivel individual, unë jam dëshmitar. Megjithatë, nga një këndvështrim klinik, unë besoj se duhet të përqendrohemi në tablonë më të gjerë - obeziteti është një sëmundje kronike e përhapur dhe vdekjeprurëse dhe tani kemi gjetur një trajtim efektiv.
Ne kemi të drejtë të diskutojmë dhe debatojmë implikimet e këtyre ilaçeve të reja të mrekullueshme, duke përfshirë pyetje rreth përdorimit të tepërt për ndryshimin e stilit të jetesës. Përgjigjet do të kenë implikime të thella për miliona pacientë dhe mund të riformësojnë sistemin e kujdesit shëndetësor dhe ekonominë më të gjerë për një brez./ZËRI
*Jay S. Feldstein është president dhe CEO i Kolegjit të Mjekësisë Osteopatike në Filadelfia (PCOM). Ai është i certifikuar në bordin e mjekësisë dhe është anëtar i Kolegjit Amerikan të Mjekësisë Parandaluese.