
IZRAEL- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu miratoi "në parim" një marrëveshje të propozuar për armëpushim me Hezbollahun gjatë një konsultimi për sigurinë me zyrtarët izraelitë të dielën mbrëma. Lajmin e zbuloi për "CNN" një burim që ka lidhje me këtë takim. Por Izraeli ka ende rezerva për disa detaje të marrëveshjes, e cila pritej t'i kalonte qeverisë libaneze të hënën.
Këto dhe detaje të tjera janë ende duke u negociuar dhe burime të shumta theksuan se marrëveshja nuk do të jetë përfundimtare derisa të zgjidhen të gjitha çështjet. Një marrëveshje armëpushimi do të duhet gjithashtu të miratohet nga kabineti izraelit, gjë që ka shumë pak gjasa që të ndodhë. Burime të njohura me negociatat thanë se bisedimet dukej se po lëviznin pozitivisht drejt një marrëveshjeje, por gjithashtu pranuan se ndërsa Izraeli dhe Hezbollahu vazhdojnë të shkëmbejnë zjarr, "një gabim" mund të prishë bisedimet.
"Ne po shkojmë drejt një marrëveshjeje, por ka ende disa çështje që duhet të zgjidhen,"- tha zëdhënësi i qeverisë izraelite David Menser, pa dhënë detaje.
Michael Herzog, ambasadori i Izraelit në SHBA, i tha radiostacionit izraelit GLZ se një marrëveshje ishte shumë pranë, madje shtoi se mund të ndodhë brenda pak ditësh. Paralelisht, ditët e fundit, Hezbollahu po shqyrton një propozim të mbështetur nga SHBA-ja për një pauzë 60-ditore në luftime që disa shpresa mund të përbëjnë bazën e një armëpushimi të qëndrueshëm.
Izraeli nisi një sulm në shkallë të gjerë në Liban në mes të shtatorit, pas disa muajsh përleshjesh kufitare me Hezbollahun, të cilat filluan më 8 tetor të vitit të kaluar, me organizatën libaneze që tregoi solidaritetin e saj me Hamasin dhe palestinezët në Gaza. Që atëherë, Izraeli ka nisur një pushtim tokësor, ka neutralizuar një numër liderësh të Hezbollahut - duke përfshirë një nga themeluesit e tij, Hassan Nasrallah - dhe ka plagosur mijëra në një sulm masiv./ZËRI