WASHINGTON- Prej datës 28 shkurt, ku SHBA-të së bashku me Izraelin sulmuan Iranin, presidenti amerikan Donald Trump e ka kritikuar vazhdimisht NATO-n. Edhe në daljet e fundit Trump tha se do të shqyrtonte tërheqjen e vendit nga organizata. Aleanca ushtarake u krijua në vitin 1949 për të “siguruar një paqe të qëndrueshme në Evropë dhe Amerikën e Veriut”.
Pavarësisht pretendimeve të Trump se ai mund ta tërheqë vendin e tij nga aleanca, një ligj i miratuar nga Kongresi në vitin 2023 thotë se “presidenti nuk do të pezullojë, përfundojë, denoncojë ose tërheqë Shtetet e Bashkuara nga Traktati i Atlantikut të Veriut, përveç nëse kjo bëhet me këshillën dhe pëlqimin e Senatit, me kusht që dy të tretat e senatorëve të pranishëm të jenë dakord, ose në përputhje me një Akt të Kongresit”.
Në një intervistë me emisionin “This Week” të ABC muajin e kaluar, senatori Thom Tillis, republikani më i lartë në Grupin Vëzhgues të NATO-s të Senatit dypartiak, tha se “nuk është e vërtetë në fakt” që Trump mund të tërhiqet nga NATO pa Kongresin.
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk mund të tërhiqet nga NATO”, deklaroi ai.
Tillis gjithashtu mbrojti aleatët e NATO-s pasi Trump i quajti ata “frikacakë” që nuk e kanë ndihmuar SHBA-në. Megjithatë, një opinion ligjor i vitit 2020 nga Zyra e Këshilltarit Ligjor të Departamentit të Drejtësisë thotë se presidenti ka autoritet ekskluziv mbi traktatet, shkruan CNN.
Tërheqja e SHBA-së në mënyrë të njëanshme nga NATO mund të përfundojë në varësi të vendimit të një gjykate, thuhet më tej sipas një raporti të Shërbimit Kërkimor të Kongresit./ZËRI