
SHBA- Presidentja e Universitetit të Harvardit ka dhënë dorëheqjen pasi u përball me akuza për plagjiaturë dhe kritika për komentet e saj në kampus. Claudine Gay është përballur me presion në rritje për të dhënë dorëheqjen javët e fundit, vendim që e mori sot.
Në një letër që njoftonte dorëheqjen e saj, ajo tha se ishte në "interesin më të mirë" të universitetit që të largohej nga detyra.
“Me zemër të lënduar, por me dashuri të thellë për Harvardin, po njoftoj dorëheqjen time si presidente. Nuk është një vendim që e mora lehtë. Në të vërtetë, ishte e vështirë sepse mezi prisja të punoja me kaq shumë prej jush për të çuar më tej angazhimin për përsosmëri akademike,”- shkroi ajo në një letër të gjatë drejtuar komunitetit universitar.
Dorëheqja vjen pas akuzave për plagjiaturë të gjetura në shkrimet akademike të Gay-t. Po ashtu, ajo dhe drejtues të tjerë universiteti janë akuzuar për hipokrizi kur diskutojnë përpjekjet për të frenuar antisemitizmin në mes të luftës Izrael-Gaza.
Vajza e emigrantëve nga Haiti, Gay ishte gruaja e parë me ngjyrë në krye të universitetit më të famshëm të Amerikës./ZËRI