
TURQI- Të paktën nëntë persona janë bllokuar në një minierë ari në provincën verilindore Erzincan të Turqisë në rajonin e Eufratit. Lajmin e dha kryetari i bashkisë së qytetit, Bekir Aksun.
"Në minierë punojnë edhe shumë grupe të nënkontraktuara për të cilat nuk kemi asnjë informacion për numrin dhe emrat e tyre. Prandaj, mendojmë se të zhdukurit janë shumë më tepër se aq,"-shtoi ai. Megjithatë, problemi shumë i madh me të cilin përballen autoritetet turke është perspektiva e kontaminimit me cianid të lumit Eufrat, i cili pasi kalon Turqinë hyn në Mesopotami për të përfunduar në Gjirin Persik.
Cianidi përdoret gjerësisht në nxjerrjen e arit. E gjitha ka nodhur nga rrëshqitja e një pjese të madhe të dheut, e cila ka përfunduar në ujin e lumit. Situata pritet që të përkeqësohet për shkak të reshjeve të shiut.

“Asnjë lajm për nëntë minatorët. Një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar me një ekip prej 400 personash”, tha ministri i Brendshëm turk, Ali Gerlikaya, sipas mediave turke.

Rrëshqitja e dheut ndodhi rreth orës 14:00 me kohën lokale në Iliç, brenda provincës Erzincan.
“Ne do të mobilizojmë të gjitha burimet tona për të sqaruar shkaqet e këtij incidenti”, tha kompania përgjegjëse për minierën e arit Anagold.
Rrëshqitjet e dheut ose shembjet e minierave ndodhin shpesh në zona të Turqisë. Në një shpërthim që ndodhi në vitin 2022, 42 minatorë u vranë në Amasra, por këtë herë dëmi pritet të jetë edhe më i madh, edhe për natyrën. Aq sa mediat turke e krahasojnë me tragjedinë e Chernobilit./ZËRI