Bota

Caktohet data, më 6 mars do të mbahet takimi vendimtar i BE për Ukrainën

Në samitin e Londrës, të gjithë ranë dakord se marrja e një roli më aktiv në sigurinë e ardhshme të Ukrainës do të thotë rritje e aftësisë ushtarake dhe rrjedhimisht rritje e shpenzimeve.

I.F
Caktohet data, më 6 mars do të mbahet takimi vendimtar i BE për
Liderët e BE-së takim me Zelenskyy-n

UKRAINË- Pas samitit të djeshëm që u zhvillua në Londër, Angli për Ukrainën, Evropës i duhet të marrë vendime seriozre gjatë kësaj jave. Presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar që vendet e NATO-s të investojnë më shumë në mbrojtjen e tyre. "Për tre vitet e fundit, rusët kanë shpenzuar 10% të PBB-së së tyre për mbrojtje," tha ai.

“Ne duhet të përgatitemi për të ardhmen, duke synuar 3% deri në 3.5% të PBB-së”.

Presidenti francez u bëri thirrje vendeve evropiane të përfitojnë nga programet e BE-së që janë të pashfrytëzuara.

"Ne duhet të kushtëzojmë Komisionin Europian që të përdorë mënyra inovative financimi. Kjo do të thotë ose huamarrje e përbashkët ose të përdorim paratë nga Mekanizmi Evropian i Stabilitetit, i cili ka një fond prej 200 miliardë eurosh", vuri në dukje ai.

Në samitin e Londrës, të gjithë ranë dakord se marrja e një roli më aktiv në sigurinë e ardhshme të Ukrainës do të thotë rritje e aftësisë ushtarake dhe rrjedhimisht rritje e shpenzimeve. Ky realitet ka të ngjarë të jetë në qendër të samitit të 27 liderëve të BE-së që do të mbahet të enjten, më 6 mars, në Bruksel. Edhe pse Starmer udhëhoqi procedurat që u zhvilluan të dielën, Britania, nuk do të marrë pjesë.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se tani është koha për të "pajisur urgjentisht Evropën".

Samiti i së enjtes ka të ngjarë të rezultojë në një njoftim historik mbi buxhetet e shpenzimeve të mbrojtjes, sipas një diplomati evropian, i cili foli në kushte anonimiteti. Por kjo nuk do të jetë e lehtë duke pasur parasysh se disa liderë, veçanërisht kryeministri hungarez Viktor Orban, janë më shumë mbështetës të Vladimir Putinit sesa çdo plan për të mbrojtur Evropën nga presidenti rus.

Në samitin e BE-së Britania, e cila mori iniciativën për samitin e së dielës, nuk do të marrë pjesë. Por pavarësisht se dje dukej se konkluzionet e të gjithë pjesëmarrësve ishin të përbashkëta, sot Zëvendës Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe hodhi poshtë Macron.

Zëvendës Sekretari britanik i Mbrojtjes, Luke Pollard tha se Londra dhe Parisi nuk kanë rënë dakord për një propozim për një armëpushim të pjesshëm njëmujor në Ukrainë, të cilin presidenti francez Emmanuel Macron e përmendi dje të dielën, duke folur për gazetën franceze Le Figaro.

"Nuk ka asnjë marrëveshje për asgjë që i ngjan armëpushimit", vuri në dukje Pollard, duke folur për Times Radio.

"Shumë opsione janë në tryezë, subjekt i diskutimeve më të thella me partnerët amerikanë dhe evropianë, por një armëpushim njëmujor nuk është një marrëveshje", shtoi ai./ZËRI

Poll

MOS HUMB