
SHBA - Presidenti amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar Kinën se SHBA-të do të mbrojnë Filipinet, nëse Pekini e sulmon atë.
Mesazhi i tij erdhi disa ditë pas përplasjeve midis anijeve filipinase dhe kineze në ujërat e Detit të Kinës Jugore. Biden deklaroi se SHBA është e vendosur për të mbrojtur Filipinet. Ishujt Filipine kanë deklaruar se Kina po bën manovra të rrezikshme në det, pranë kufirit mes 2 vendeve.
Deklarata e Biden, vjen në kohën që tensionet mes Kinës dhe Filipineve janë shtuar ndjeshëm së fundmi.
“Do të jem shumë i qartë, SHBA është e vendosur për mbrojtjen e Filipineve. Marrëveshja jonë e mbrojtjes është e fortë”, tha Biden.
Traktati i Mbrojtjes së ndërsjellë, i nënshkruar në vitin 1951, detyron SHBA-në dhe ish-koloninë e saj, Filipinet të mbrojnë njëri-tjetrin, në rast të një sulmi të armatosur.
"Çdo sulm ndaj avionëve, anijeve ose forcave të armatosura filipinase në përputhje me Traktatin e Mbrojtjes së ndërsjellë me Filipinet, na detyron të përgjigjemi", tha Biden, në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, më 25 tetor.
Ishujt Filipine deklaruan më 22 tetor se manovrat e rrezikshme të Kinës shkaktuan një përplasje midis një anijeje të rojes bregdetare kineze dhe një anijeje furnizuese filipinase, në zonën që i përket zonës ekskluzive ekonomike të Filipineve (EEZ).
Gilberto Teodoro Jr., ministri i mbrojtjes i Filipineve, tha se anijet kineze goditën qëllimisht anijet filipinase, duke akuzuar Kinën se ishte fajtore për ngjarjen. Biden u shpreh gjithashtu se anijet kineze vepruan në mënyrë të rrezikshme dhe të paligjshme. Filipinet janë një partner i rëndësishëm strategjik i SHBA-ve.
Pas zgjedhjes si president të Filipineve të Ferdinand Marcos në qershor 2022, Filipinet ringjallën aleancën e tyre me Amerikën, duke kritikutuar ashpër manovrat e anijeve kineze në Detin e Kinës Jugore. Politika e jashtme e presidentit aktual është orientuar nga SHBA-të./Zëri.ai/