
SHBA- Presidenti i SHBA, Joe Biden iu referua homologut të tij rus, Vladimir Putin, si një "SOB i çmendur" (që do të thotë "bir k**** i çmendur"). Ky koment "i shpëtoi" gjatë një mbledhjeje të fondeve në San Francisko për fushatën e tij të rizgjedhjes 2024. Aktiviteti u ndoq nga një grup i vogël gazetarësh.
Biden po fliste për ndryshimin e klimës kur tha: Ne kemi një SOB të çmendur si ky djali... Putini dhe të tjerët, kështu që na duhet gjithmonë që të shqetësohemi për konfliktin bërthamor, kur në të vërtetë kërcënimi ekzistencial për njerëzimin është klima.
Të martën, Biden tha se SHBA do të shpallë një paketë sanksionesh të reja të ashpra kundër Rusisë për vdekjen në burg të liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny. Këtij paralajmërimi, Moska iu përgjigj, duke u shprehur se fyerja e Biden shërbeu vetëm për të poshtëruar Shtetet e Bashkuara. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se përdorimi i një fjalori të tillë ishte një përpjekje e dobët për t'u dukur si një "kauboj hollivudi".
“Përdorimi i një gjuhe të tillë kundër kreut të një shteti tjetër nga presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk ka gjasa të cenojë presidentin tonë, presidentin Putin,”- tha Peskov.
Vetë Putin, nuk ka komentuar fyerjen ndaj tij./ZËRI