
SHBA- Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i ka kërkuar Izraelit të mbrojë spitalin Al-Shifa të Gazës. Biden duke folur nga Zyra Ovale tha se SHBA është në kontakt me izraelitët dhe ishte "shpresa dhe pritshmëria" e tij që do të kishte "më pak veprime ndërhyrëse në lidhje me spitalin".
"Spitali duhet të mbrohet”, u tha Biden gazetarëve.
Tanket izraelite kanë zënë pozicione jashtë Spitalit Al Shifa, qendra kryesore mjekësore e qytetit të Gazës, për të cilin Izraeli thotë se ndodhet në majë të tuneleve që strehojnë luftëtarët e Hamasit, të cilët po përdorin pacientët si mburoja. Nga ana tjetër Hamasi mohon pretendimin izraelit.
Izraeli filloi luftën e tij kundër Hamasit pas sulmit të grupit islamik palestinez më 7 tetor në jug të Izraelit. Rreth 1200 njerëz vdiqën në atë sulm dhe 240 u tërhoqën zvarrë në Gaza si pengje, sipas të dhënave të Izraelit. Krahu i armatosur i Hamasit tha se ishte gati të lironte deri në 70 gra dhe fëmijë të mbajtur në Gaza në këmbim të një armëpushimi pesë-ditor në luftë. Autoritetet mjekësore të Gazës thonë se më shumë se 11,000 njerëz janë konfirmuar të vrarë nga bombardimet izraelite, rreth 40% e tyre fëmijë.