
IZRAEL- Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka refuzuar këtë të enjte kushtet e Hamasit për një armëpushim dhe është zotuar se do të vazhdojë me ofensivën ushtarake të Izraelit në Gaza deri në "fitoren absolute". Deklaratën e bëri këtë të mërkurën menjëherë pas takimit me Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken, i cili ka zhvilluar një tur takimesh nëpër rajon me shpresën për të siguruar një marrëveshje armëpushimi.
“Ne jemi në rrugën drejt një fitoreje absolute”, tha Netanyahu, duke shtuar se operacioni do të zgjasë muaj, jo vite.
"Nuk ka zgjidhje tjetër."
Ai përjashtoi çdo marrëveshje që e lë Hamasin nën kontrollin e plotë ose të pjesshëm të Gazës. Ai tha gjithashtu se Izraeli është "fuqia e vetme" e aftë për të garantuar sigurinë në afat të gjatë. Netanyahu bëri thirrje gjithashtu për zëvendësimin e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, e njohur si UNRWA.
Hamasi parashtroi një plan të detajuar trefazor për t'u shpalosur gjatë katër muajve e gjysmë, duke iu përgjigjur një propozimi të hartuar nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Katari dhe Egjipti. Plani parashikonte që të gjithë pengjet do të liroheshin në këmbim të qindra palestinezëve të burgosur nga Izraeli, duke përfshirë militantë të lartë, dhe një fund të luftës./ZËRI