
SERBI-Këshilli i Bashkimit Europian i dha dritën jeshile nënshkrimit të një marrëveshjeje me Serbinë, e cila do të mundësojë vendosjen e patrullave nga Agjencia Europiane e Rojave Kufitare për kontrollin e kufijve, edhe brenda territorit të Serbisë në veprime të përbashkëta për kontrollimin e emigracionit të paligjshëm, shkruajnë mediat e huaja.
Marrëveshja e re do të zëvendësojë marrëveshjen aktuale të statusit midis BE-së dhe Serbisë. Marrëveshja aktuale bazohet në rregulloren e vjetër të Frontex dhe lejon vetëm operacione të përbashkëta në kufirin e Serbisë me Bashkimin Evropian. Bazuar në rregulloren e re të Agjencisë Evropiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare të vitit 2019, Frontex mund të ndihmojë vendet me të cilat nënshkruan marrëveshje në të gjithë territorin e tyre dhe mund të ushtrojë kompetenca ekzekutive, si kontrollet kufitare dhe regjistrimi i personave.
“Marrëveshja do t’i krijojë BE-së dhe Serbisë mundësinë që të organizojnë operacione të përbashkëta, të cilat do të përfshinin FRONTEX-in dhe gardën kufitare të Serbisë. Kjo, po ashtu, nënkupton se ekipet menaxhuese kufitare të FRONTEX-it mund të dislokohen në Serbi. Ato do të ndihmojnë autoritete serbe të përballojnë valët e emigrantëve, të menaxhojnë valët e emigracionit të paligjshëm dhe të luftojnë krimin ndërkufitar”, thuhet në njoftimin e Këshillit.
Bashkimi Europian ka aktualisht marrëveshje të tilla me disa vende fqinje, si me Moldavinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë./ZËRI