Bota

BE paralajmëron Elon Musk për dezinformime në X rreth sulmit të Hamasit

D.XH
BE paralajmëron Elon Musk për dezinformime në X rreth sulmit
Elon Musk dhe X

BRUKSEL - BE-ja ka paralajmëruar Elon Muskun, lidhur me dezinformimin në X, në lidhje me sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, duke përfshirë lajme të rreme dhe imazhe të vjetra e të ripërdorura.

Paralajmërimi vjen më pak se dy muaj, pasi ligjet e reja gjithëpërfshirëse që rregullojnë përmbajtjen në mediat sociale në hapësirën europiane, hynë në fuqi sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale. Nëse Musk, pronari i X, nuk zbaton kërkesat e BE, ai mund të përballet me një gjobë, që është ekuivalente me 6% të të ardhurave të tij nga X ose një ndërprerje totale të shërbimeve në BE.

Thierry Breton, komisioneri përgjegjës për informacion në rrjetet sociale në BE, i shkroi Musk, duke i kërkuar atij që të ketë një përgjigje të shpejtë, të saktë dhe të plotë ndaj kërkesës për të kontaktuar Europolin, agjencinë e zbatimit të ligjit së BE-së dhe autoritetet e tjera, për 24 orët e ardhshme.

Breton i kujtoi Musk se ai duhej të ketë kujdes, që të mos ekspozojë informacione të rreme për qytetarët. “Pas sulmeve terroriste të kryera nga Hamasi kundër Izraelit, ne kemi të dhëna se platforma juaj po përdoret për të shpërndarë përmbajtje të paligjshme dhe dezinformata në BE”, shkroi Breton.

“Mediat publike dhe organizatat e shoqërisë civile raportojnë gjerësisht raste të imazheve dhe fakteve të rreme dhe të manipuluara që qarkullojnë në platformën tuaj në BE, të tilla si imazhe të vjetra të ripërdorura të konflikteve të armatosura që nuk kanë lidhje me këtë rast, ose pamje ushtarake të marra nga video lojëra. Ky duket të jetë informacion i rremë ose mashtrues", tha ai.

"Më lejoni t'ju kujtoj se Akti i Shërbimeve Dixhitale përcakton detyrime shumë të sakta nëse informacioni apo përmbajtja në rrjetet sociale nuk është e saktë", tha Breton, duke shtuar se ndryshimet në politikat e interesit publik të X, kanë ngritur pikëpyetje në lidhje me pajtueshmërinë e platformës me rregullat e reja europiane.

Musk vendosi që platforma e tij sociale të funksionojë, në përputhje me ligjet e reja. Facebook, Google, TikTok dhe kompani të tjera po zbatojnë ligjet e reja të BE dhe po heqin dezinformatat, në lidhje me sulmin e Hamasit ndaj Izraelit.

Musk iu përgjigj Bretonit në X duke i thënë: "Ju lutemi renditni shkeljet për të cilat aludoni në X, në mënyrë që publiku t'i shohë ato". Duke iu referuar kërkesës së ligjit që platformat të rregullojnë përmbajtjen e tyre, Breton u përgjigj: "Ju duhet të demonstroni vullnet, që të ketë informacione të sakta në platformën X".

Në letrën e Breton drejtuar Musk thuhet: “Së pari, ju duhet të jeni shumë transparent dhe të qartë se çfarë përmbajtje lejohet sipas kushteve tuaja dhe të zbatoni vazhdimisht dhe me zell politikat europiane të sigurisë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për përmbajtje të dhunshme dhe terroriste, që duket se qarkullojnë në platformën tuaj”. Përmbajtjet e shpërndara në X gjatë kohëve të fundit, lanë shumë përdorues evropianë të pasigurt.

“Së dyti, kur merrni njoftime për përmbajtje të paligjshme në BE, duhet të jeni në kohë, të zellshëm dhe objektivë për të ndërmarrë veprime dhe për të hequr përmbajtjen përkatëse. Ne kemi, nga burime të sigurta, raporte për përmbajtje potencialisht të paligjshme që qarkullojnë në platformën tuaj”, tha ai. Sipas ligjeve të reja, kompanitë e mediave sociale duhet t'u përgjigjen ankesave për përmbajtje të paligjshme brenda 24 orëve. Ata mund të kundërshtojnë ankesat nga përdoruesit, por ekziston një proces apelimi nga konsumatorët.

Në Bruksel ka shqetësime se X nuk po përgjigjet brenda 24 orëve ndaj ankesave për disinformim ose përmbajtje të tjera të paligjshme si gjuha e urrejtjes, brenda kohës së kërkuar. Breton i kërkoi Musk-ut të sigurojë urgjentisht që platformat të jenë efektive dhe të raportojë menjëherë në BE për masat që janë marrë. “Duke pasur parasysh urgjencën, pres gjithashtu që ju të jeni në kontakt me autoritetet përkatëse të zbatimit të ligjit dhe Europolin dhe të siguroheni që t'i përgjigjeni menjëherë kërkesave”, shtoi Breton.

Elon Musk është kritikuar jo pak, nga agjenci ligjzbatuese, në lidhje me mesazhet apo përmbajtjet, që qarkullojnë në platformat e tij sociale./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB