
BRUKSEL- Komisioni Europian deklaroi se do të padisë Greqinë në Gjykatën e Lartë të BE-së për dështimin e saj në rishikimin e planeve të menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet, një mjet kyç për vendet e BE-së për t’u përgatitur kundër përmbytjeve, raporton Reuters.
Veprimi vjen pesë muaj pasi shirat e dendur në Greqi përmbytën fushën e saj pjellore të Thesalisë, duke shkatërruar të korrat dhe bagëtinë dhe duke ngritur pikëpyetje në lidhje me aftësinë e vendit mesdhetar për t'u përballur me një klimë gjithnjë e më të çrregullt.
Sipas rregullave të BE-së, vendet duhet të përditësojnë një herë në gjashtë vjet planet e tyre të menaxhimit të përmbytjeve, një sërë masash që synojnë t'i ndihmojnë ata të zbusin rreziqet e përmbytjeve për jetën e njerëzve, mjedisin dhe aktivitetet ekonomike. Greqia u njoftua zyrtarisht nga Komisioni vitin e kaluar se duhet të finalizonte planet e saj të menaxhimit, por vendi deri më tani nuk ka rishikuar, miratuar ose raportuar planet e tij të menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet, tha Komisioni në një deklaratë.
Komisioni muajin e kaluar paditi Bullgarinë, Qipron, Spanjën, Irlandën, Maltën, Portugalinë dhe Sllovakinë për mospërmbushje të detyrimeve të tyre përkatëse të raportimit./ZËRI