EVROPË- Pas takimit të bujshëm mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, Bashkimi Evropian ka reaguar me një qëndrim të qartë, duke theksuar se paqja në Ukrainë kërkon një tryezë trepalëshe ku të jetë i pranishëm edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Në një deklaratë të përbashkët, liderët evropianë mirëpritën përpjekjet e Trump për t’i dhënë fund agresionit rus në Ukrainë dhe për të hapur rrugën drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Ata theksuan se BE-ja është e gatshme të punojë ngushtë me SHBA-në dhe Ukrainën për të bërë realitet një takim të tillë.
"Ukraina duhet të ketë garanci të forta sigurie për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. As Rusia dhe askush tjetër nuk mund të vendosë veto mbi rrugën e saj drejt BE-së dhe NATO-s," – thuhet në deklaratë.
BE thekson se nuk duhet të ketë kufizime mbi forcat e armatosura të Ukrainës apo mbi bashkëpunimin e saj me vendet e treta. Nga Brukseli, mesazhi për mbështetjen ndaj Ukrainës është i qartë, për aq kohë sa do të jetë e nevojshmë kjo ndihmë.Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, ka nënvizuar gjithashtu rolin vendimtar të SHBA-së në këtë proces.
"Amerika ka fuqinë për të detyruar Rusinë të ulet seriozisht në negociata. Ne do të jemi aty për të ndihmuar dhe për të siguruar që çdo marrëveshje paqeje të jetë e drejtë dhe afatgjatë,” – deklaroi Kallas.
Në fund, BE thekson vendosmërinë për të forcuar sanksionet kundër Rusisë dhe për të ushtruar presion ekonomik deri në ndalimin e plotë të agresionit./ ZËRI/