
BRUKSEL- Konfirmohet takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se takimet e diplomatëve evropianë me liderët e dy vendeve do të nisin të enjten, më 14 shtator, që prej orës 09:00. Diplomatët e BE-së fillimisht takohen ndaras me liderët e dy vendeve, e më vonë, të dyja palët nën drejtimin e të dërguarit të Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miloslav Lajçak dhe kryediplomatit të BE-së, Joseph Borell, do të takohet edhe Kurti me Vuçiç. Në këtë takim pritet të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, të arritur në shkurt, dhe më pas për çështjet aktuale.
Ky është takimi i parë që prej tensioneve të krijuara në Veri të Kosovës, fill pas zgjedhjeve për 4 komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Tensionet janë rritur pasi banorët serbë në këto komuna nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga shumica serbe.
Deri më tani, Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri në shkurt për atë që njihet si marrëveshje drejt normalizimit të marrëdhënieve me dy vendeve. Marrëveshja prej 11 nenesh nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Aktualisht, Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, duke nisur që prej vitit 2011. Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.