
SYDNEY - Australia do të prezantojë ligje që u japin punëtorëve të drejtën të injorojnë thirrjet dhe mesazhet e paarsyeshme nga shefat e tyre jashtë orarit të punës. Madje, është paraparë që të ketë gjoba për punëdhënësit që shkelin rregullin.
Ky ligj është ndërmarrë, për të vendosur një ekuilibër mes punës dhe jetës private, raporton Reuters. Ligje të ngjashme që u japin punonjësve të drejtën për të fikur celularët e tyre jashtë orarit të punës, janë tashmë në fuqi në Francë, Spanjë dhe vende të tjera në Bashkimin Evropian. ‘Shumica e senatorëve kanë deklaruar tani mbështetje për legjislacionin’, tha në një deklaratë të mërkurën Ministri i Punësimit Tony Burke nga Partia Laburiste në pushtet e qendrës së majtë.
‘Dispozita i ndalon punonjësit të punojnë jashtë orarit të papaguar, përmes të drejtës për t'u shkëputur nga kontaktet e paarsyeshme jashtë orarit’, tha Burke. "Ajo që ne thjesht po themi është se dikush që nuk paguhet 24 orë në ditë nuk duhet të penalizohet, nëse nuk është në internet dhe i disponueshëm 24 orë në ditë", u tha gazetarëve më herët të mërkurën kryeministri Anthony Albanese. Projektligji pritet të paraqitet në parlament këtë javë./ZËRI/