
PRISHTINË- Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka komentuar kritikat që kanë ardhur në adresë të qeverisë "Kurti" lidhur me çështje të ndryshme që kanë nxitur tensionet mes Kosoës dhe Serbisë. Në një intervistë që ka dhënë në "KTV", Bislimi ka dhënë një deklaratë të fortë, duke u shprehur se qeveria i ka përmbushur të gjitha kërkesat e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, në mënyrë që të hiqen masat ndëshkuese.
Bislimi ka komentuar mundësinë që krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet zyrtarisht kusht i Brukselit për heqjen e masave, duke u shprehur se: Mos na detyroni me e eskalu (përshkallëzuar) situatën për me tregu që e de-eskalojmë prapë.
PJESË NGA FJALA E BISLIMIT:
Masat nuk janë thjesht masa, janë masa për de-eskalim të situatës, për arsye se Brukseli ka menduar që sulmi i kriminelëve serbë në datën 29 maj ka mundur të evitohej nëse Kosova s'do i kishte dërguar katër kryetarët në katër komunat në veri. Domethënë, masat kanë qenë të lidhura me eskalim dhe të kushtëzuara me de-eskalim. Unë po them, në qoftë se tani BE-ja thotë ‘e kemi edhe një kusht’, ato pushojnë së qeni masa për de-eskalim. Marrin kuptim tjetër. Dhe ne kemi thënë, masat duhet të hiqen për shkak të de-eskalimit. Mos na detyroni me eskalu situatën për me tregu që e de-eskalojmë prapë. Situata në veri ka de-eskaluar. Tregoni që masat, të cilat janë vendosur nuk e kanë më bazën e tyre, rrjedhimisht është e palogjikshme të futen.
Deklarata e tij ka brëë bujë në Kosovë. Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri reagoi menjëherë duke u shprehur se më deklaratën e bërë Bislimi e pranoi se vetë Qeveria e Kosovës e ka përshkallëzuar situatën në Veri të Kosovës, dhe jo Serbia./ZËRI