
STAMBOLL- Avokatët e kryebashkiakut të arrestuar të Stambollit, Ekrem Imamoglu kanë apeluar ndalimin e tij. Më 23 mars, atij iu caktua masa e paraburgimit, pasi akuzohet për veprat penale korrupsion dhe përfshirje në një organizatë kriminale.
Avokatët e Imamoglu shprehen se arrestimi i tij ka ardhur si rezultat i një hetimi të kryer me metoda të jashtëligjshme. Ata shprehen se nëse masa “arrest me burg” mbetet në fuqi, do të çojnë dosjen në Gjykatën Penale.
“Kërkojmë lirimin e Ekrem Imamoglu, i cili u arrestua si rezultat i një hetimi të kryer me metoda të jashtëligjshme nga fillimi deri në fund, i cili u zbulua nga fakte konkrete, të cilat dhjetëra miliona njerëz i dinë dhe kanë reaguar. Nëse arrestimi i paligjshëm mbetet në fuqi, kërkojmë që dosja të dërgohet në Gjykatën Penale kompetente të shkallës së parë për t’u shqyrtuar në Apel”, janë shprehur ata.
Pas arrestimit të Imamoglu protestat kanë shpërthyer në vend. Ndërkohë të paktën 2,000 njerëz janë arrestuar dhe burgosur, por sipas burimeve, numri aktual është shumë më i lartë. Sindikatat e stafit të shërbimit shëndetësor publik njoftuan të shtunën se kishin hasur në abuzime gjatë arrestimit, ndalimit dhe procedurave gjyqësore.
Imamoglut, 54 vjeç, u arrestua kur CHP-ja po përgatitej për ta shpallur atë kandidat presidencial. Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Turqi duhet të mbahen më 2028, por Erdogan, 71 vjeç, mund të shpallë zgjedhje të parakohshme për ta shmangur kufizimin prej dy mandatesh, nëse vendos të garojë përsëri./ZËRI