LINDJA E MESME- Tensionet në Lindjen e Mesme po thellohen ndërsa lufta SHBA-Izrael kundër Iranit vazhdon, dhe sipas një analize të publikuar nga BBC-së, presidenti amerikan Donald Trump po merr vendime kryesisht mbi instinkt, jo mbi një plan strategjik. Analiza e korrespondentit Jeremy Bowen tregon se kjo qasje ka bërë që drejtimi politik të jetë i paqartë dhe fuqia ushtarake amerikane të mos përdoret në mënyrë të duhur.
Sipas tij, Irani ka treguar rezistencë të fortë, duke përdorur kontrollin e Ngushticës së Hormuzit dhe aleatët rajonalë, përfshirë Houthis në Jemen, për të vendosur presion mbi SHBA dhe Izraelin.
Analiza thekson se Izraeli, në kontrast me SHBA, ka një plan të qartë strategjik për të dëmtuar kapacitetin ushtarak iranian dhe për të mbrojtur sigurinë e vendit, ndërsa Trump po përballet me dilema të mëdha mbi mënyrën se si të përfundojë ose të përshkallëzojë konfliktin.
Analiza e plotë e BBC:
Jeremy Bowen: Trump po bën luftë bazuar në instinkt dhe kjo nuk po funksionon
Disa të vërteta të vjetra mbi luftën po trokasnin në derën e Shtëpisë së Bardhë në muajin që ka kaluar, që kur presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dërguan avionë luftarakë amerikanë dhe izraelitë për të bombarduar Iranin.
Dështimi për të mësuar nga e kaluara do të thotë se tani Trump përballet me një zgjedhje të vështirë: nëse nuk mund të arrijë një marrëveshje me Iranin, ai mund të përpiqet të shpallë një “fitore” që nuk do t’i mashtrojë të tjerët, ose të përshkallëzojë luftën.
Një nga të vërtetat më të vjetra vjen nga strategu ushtarak prusian Helmuth von Moltke i Vjetër: "Asnjë plan nuk mbijeton kontakti i parë me armikun." Ai e shkroi këtë në vitin 1871, vitin kur Gjermania u unifikua si perandori, një moment që ishte po aq vendimtar për sigurinë e Europës sa mund të jetë kjo luftë për sigurinë e Lindjes së Mesme.
Trump duket se preferon versionin modern të boksierit Mike Tyson: "Çdokush ka një plan deri sa goditet." Më relevant për Trump janë fjalët e një prej paraardhësve të tij, Dwight D. Eisenhower, gjenerali amerikan që komandoi zbarkimin e D-Day në vitin 1944 dhe shërbeu më pas si president dy mandate në vitet 1950. Eisenhoëer tha: "Planet janë të pavlerë, por planifikimi është gjithçka." Ai nënkuptonte se disiplinimi dhe procesi i hartimit të planeve për të luftuar një luftë e bëjnë të mundur ndryshimin e kursit kur ndodh e papritura.
E papritura për Trump ka qenë qëndrueshmëria e regjimit në Iran. Dukej se ai shpresonte për një përsëritje të operacionit të shpejtë ushtarak në Venezuelë në janar, ku u kap presidenti Nicolás Maduro dhe gruaja e tij. Kjo tregon një mungesë kuptimi të dallimeve mes Venezuelës dhe Iranit.
Pavarësisht vrasjes së liderit suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei në sulmin e parë ajror, regjimi në Teheran funksionon dhe kundërsulmon, duke shfrytëzuar sa më mirë burimet e kufizuara që ka. Ndërsa Trump duket se po vepron sipas instinktit, pa u mbështetur në inteligjencën dhe këshillat strategjike që presidentët e tjerë kanë përdorur. Kjo mungesë drejtimi politik e bën më të vështirë përdorimin efektiv të forcave të armatosura amerikane.
Katër javë pas fillimit të luftës, Trump dhe Netanyahu besuan se një fushatë e fuqishme bombardimesh do të siguronte një fitore të shpejtë. Sulmet kanë vrarë mbi 1,460 civilë iranianë, sipas HRANA, një grup që monitoron të drejtat e njeriut në Iran. Megjithatë, regjimi iranian qëndron, lufton dhe përdor kontrollin gjeografik të ngushticës së Hormuzit si mjet presioni. Ai ka treguar se, edhe me burime më të kufizuara, mund të pengojë dhe kërcënojë eksportin e naftës.
Trump po zbulon tani pse paraardhësit e tij nuk u përfshinë në një luftë të zgjedhur për të shkatërruar Republikën Islamike. Iranianët kanë qëndrueshmëri, strukturë të fortë institucionale dhe ideologji të thellë, që i bën të aftë të mbijetojnë edhe pas humbjeve të mëdha. Në të njëjtën kohë, Izraeli, me Netanyahu, ka një plan të qartë strategjik dhe objektivat e tij janë të fokusuara në sigurinë e shtetit izraelit. Ai synon të shkaktojë sa më shumë dëme Iranit për të garantuar ekzistencën dhe të ardhmen e Izraelit.
Lufta po merr një formë klasike të luftës asimetrike, ku një forcë më e vogël dhe më e dobët mund të sfidojë një armik më të madh dhe më të fuqishëm. Houthit në Jemen gjithashtu kanë nisur sulme ndaj Izraelit, duke kërcënuar rrugët detare kyçe për tregtinë globale. Trump ka pak mundësi për të mbyllur konfliktin dhe mund të përshkallëzojë luftën. Më shumë se 4,000 marinsa amerikanë janë dërguar në rajon, dhe trupa të tjera janë në gatishmëri.
Asnjë plan për një invazion të plotë nuk është konfirmuar, por SHBA mund të përpiqet të marrë kontrollin e disa ishujve strategjikë në Gjirin Persik, përfshirë Ishullin Kharg. Kjo do të kërkonte operacione të rrezikshme amfibike, dhe Irani mund të përdorë këtë për të zvarritur amerikanët në një luftë të gjatë. Rezultati: Trump po mëson kufijtë e pushtetit të tij, ndërsa Irani ka një koncept tjetër të fitores dhe humbjes – për ta, thjesht mbijetesa është fitore./ZËRI