
GJERMANI- E djathta ekstreme gjermane ka shënuar fitoren e saj të parë në zgjedhje që nga Lufta e Dytë Botërore. Sipas rezultateve të 'Exitpolleve' paszgjedhjeve në dy shtetet federale të Gjermanisë (Saksoni dhe Turingi), kryeson e djathta ekstreme. Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë mori kryesimin në Turingi, me 33.5 për qind të votave; pas e ndjek Unioni Kristian Demokrat (CDU) me 24.5 për qind, ndërsa Aleanca e Sahra Bagenknecht (BSW) është në vendin e tretë me 14.5 për qind.
Partia Demokristiane (CDU) kryeson me 31.5 për qind në Saksoni, ndërsa Alternativa për Gjermaninë (AfD) është në vendin e dytë me 30 për qind. Aleanca e Sahr Bagenknecht (BSW) është në vendin e tretë me 12 përqind dhe Partia Social Demokratike (SDP) me 8.5 përqind të votave. Pra sipas rezultateve të para paraprake, AfD është gjashtë pikë përpara partisë konservatore CDU dhe shumë përpara tre partive gjermane në pushtet.
"Për ne është një sukses historik. Është hera e parë që ne jemi bërë forca më e fortë në zgjedhjet kombëtare,"- tha Alice Weidel, bashkëdrejtuese e AfD.
“Nuk duam koalicion”
Bashkimi Kristian Demokrat (CDU) në Turingi nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm Carsten Linnemann tha se do të kërkonte bisedime për të eksploruar mundësinë e formimit të një qeverie të përbashkët, por përsëriti se nuk do të kishte asnjë bashkëpunim me AfD.
Rezultatet në Saksoni dhe Turingi rezultuan katastrofike për tre partitë në pushtet. Edhe pse rezultati ishte parashikuar për muaj të tërë, partitë e qendrës u treguan të pafuqishme për të ndryshuar trendin gjatë vitit dhe rezultatet tronditën peizazhin politik aktual në Gjermani./ZËRI