
ARGJENTINË- 5 persona janë akuzuar për vdekjen e Liam Payne në Argjentinë, duke përfshirë një nga miqtë më të ngushtë të këngëtarit. Ish-anëtari i grupit “One Direction” ka ndërruar jetë pasi ka rënë nga ballkoni i katit të tretë të hotelit ku po qëndronte. Ekspertiza mjekoligjore doli në përfundimin se këngëtari kishte konsumuar shumë alkool dhe drogë.
Miku i tij i ngushtë, Rogelio Nores, i cili pretendon se ai e zbarkoi Liam Payne në hotelin CasaSur Palermo në Buenos Aires rreth 40 minuta para rënies që i shkaktoi vdekjen e tij, është akuzuar për vrasje nga pakujdesia. Nores e mohon me forcë faktin se e kishte braktisur këngëtarin para incidentit tragjik, por megjithatë nuk është në paraburgim. Por i ndalohet që të dalë nga Argjentina. Përveç tij, menaxheret e hotelit, Gilda Martin dhe Esteban Grassi, janë akuzuar për vrasje nga pakujdesia.
Nga ana tjetër, kamerieri i cili punon në lokalin e hotelit dhe pranoi se konsumoi drogë me Liam Payne, u akuzua për furnizim me drogë me pagesë. Një tjetër punonjës hoteli, Ezequiel Pereira, u akuzua se i kishte dhënë drogën këngëtarit.
Çfarë zbuloi Nores për varësinë e këngëtarit nga droga?
Përdorimi i drogës nga Liam Payne thuhet se u përkeqësua në vitin para vdekjes së tij. Të paktën kështu pretendon miku i këngëtarit, Roger Nores. Që nga ngjarja tragjike, Nores, i cili ishte një nga njerëzit e fundit që pa të gjallë ish-anëtarin e One Direction, është përpjekur të zbulojë sa më shumë që të mundet për të kaluarën e errët të Payne. Megjithatë, kjo lëvizje është interpretuar nga shumë njerëz si një përpjekje për të treguar se Payne ishte i vetmi përgjegjës për vdekjen e tij për shkak të varësisë së tij ndaj drogës.
“Isha një shok që e doja shumë, që e ndihmoja me vetëmohim në gjithçka që mundesha, që shpenzoja paratë e mia për ta ndihmuar dhe as atëherë nuk mjaftuan. Nuk mendoj se e meritoj akuzën që më drejtohet,”-tha ai para Gjykatës.
Nores pretendoi se Payne kishte hyrë dhe dalë nga rehabilitimi "me dëshirën e tij", edhe pse trajtimet nuk ishin të suksesshme dhe varësia e Payne u përkeqësua pasi ai filloi të përdorte droga më të forta, si psh. heroina./ZËRI