Bota

4 të arrestuar në Danimarkë e Holandë, dyshohen për terrorizëm

Nuk ka detaje nëse të prangosurit janë anëtarë të grupeve të ekstremit të djathtë apo militantë islamist.

D.XH
4 të arrestuar në Danimarkë e Holandë, dyshohen për
Policia e Danimarkes

KOPENHAGEN - Tre persona u arrestuan në Danimarkë dhe një në Holandë me dyshimin për përgatitjen e një sulmi terrorist. Kështu deklaroi policia daneze të enjten.

Nuk ka ende asnjë detaj nëse të prangosurit kishin lidhje me militantët islamikë apo me grupet e ekstremit të djathtë. Shërbimi Danez i Sigurisë dhe Inteligjencës PET tha në gusht se kërcënimi ndaj Danimarkës ishte intensifikuar, pasi aktivistët anti-islamik dëmtuan disa kopje të Kuranit gjatë verës.

"Hetimi ka zbuluar se një rrjet njerëzish ka përgatitur një akt terrorist", tha Flemming Drejer, kryeinspektori i PET, në një konferencë shtypi në Kopenhagen. “Arrestimet dhe bastisjet që po kryejmë sot bazohen në një hetim intensiv që PET ka kryer në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë jashtë vendit”, tha ai.

Policia holandeze tha se një 57-vjeçar u arrestua në Roterdam të enjten me kërkesë të autoriteteve gjermane, në një hetim danezo-gjerman. Koordinatori Kombëtar Holandez për Kundër-terrorizmin dhe Sigurinë (NCTV) këtë javë e ngriti nivelin e kërcënimit të vendit në 4, ose "të konsiderueshëm", edhe për shkak të konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit.

Policia daneze tha se bastisjet ishin në vazhdim në të gjithë vendin dhe u kryen në një fazë të hershme të hetimit./ZËRI/

Poll

MOS HUMB