
MOSKË- Një oficer i lartë ushtarak rus ka humbur jetën sot pas një shpërthimi të ndodhur në një automjet në qytetin Balashikha, në rajonin e Moskës. Sips Reuters, bëhet fjalë për Yaroslav Moskalik, zëvendës shefi i Drejtorisë së Përgjithshme Operative të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Rusisë.
Vrasja, ndodhi në të njëjtën ditë kur i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff u takua me Presidentin Vladimir Putin në Moskë. Prej fillimit të luftës Rusi-Ukrainë disa zyrtarë të lartë rus janë vrarë, për të cilën Moska ka fajësuar vazhdimisht Kievin.
Media shtetërore tha se Moskalik mbante gradën e gjeneral-lejtnant. Pozicioni i tij në ministrinë e mbrojtjes do t'i kishte dhënë atij një rol të rëndësishëm në planifikimin e operacioneve ushtarake ruse, përfshirë në Ukrainë. Shërbimi inteligjent SBU i Ukrainës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi incidentin.
Gazeta Kommersant tha se një person i dytë ishte vrarë gjithashtu.
“Sipas të dhënave të disponueshme, një bombë ishte vendosur në makinën e tij, duke shkaktuar vdekjen e dy personave”, thuhet në njoftimin e Komitetit Hetimor.

Në deklaratë nuk thuhet se kush mund të qëndrojë pas incidentit. Shërbimi i inteligjencës SBU i Ukrainës vrau gjeneral-lejtnant Igor Kirillov në një mënyrë të ngjashme dhjetorin e kaluar. I dërguari i Trump në Ukrainë, gjenerali Keith Kellogg, tha se sulmi shkelte rregullat e luftës.
Moskalik në të kaluarën ka marrë pjesë në disa delegacione ruse të nivelit të lartë që kanë takuar zyrtarë perëndimorë për të provuar dhe negociuar një zgjidhje për konfliktin në Ukrainë. Ai gjithashtu u mor me Sirinë, duke paraqitur një raport mbi bashkëpunimin ushtarak-teknik në Afrikë dhe Lindjen e Mesme në një forum sigurie në Moskë në 2021.
Autoritetet ruse deri tani nuk e kanë komentuar zyrtarisht ngjarjen dhe as nuk e kanë konfirmuar identitetin e oficerit të vrarë./ZËRI