
PARIS - Një burrë ka vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur nga një sulm me thikë dhe çekiç në një rrugë në qendër të Parisit. Sulmi ndodhi në Quai de Grenelle, pranë Kullës Eiffel, pak para orës 21:00 me orën lokale, të shtunën.
Një shtetas francez 26-vjeçar i njohur për policinë është arrestuar dhe prokurorët e antiterrorizmit kanë hapur një hetim. Zyrtarët konfirmuan se personi i vrarë ishte një shtetas gjerman. Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin tha se viktima, i lindur në vitin 1999, ishte me gruan e tij kur u sulmua dhe u godit me thikë për vdekje.
Ai tha se gruaja u shpëtua nga ndërhyrja e një shoferi taksie dhe se i dyshuari iku përmes një ure aty pranë, që përshkon lumin Seine. Burri më pas sulmoi dy persona të tjerë, duke goditur njërin në sy me çekiç. I dyshuari më pas u kap nga policia dhe u arrestua me dyshimin për atentat - i përcaktuar në ligjin francez si vrasje me paramendim - dhe tentativë për atentat në lidhje me një sipërmarrje terroriste.
Dy personat e plagosur - një francez rreth 60 vjeç dhe një turist i huaj - u trajtuan nga shërbimet e urgjencës, dhe të dy janë jashtë rrezikut për jetën. Një operacion policor nisi rreth stacionit të metrosë Bir-Hakeim të shtunën mbrëma dhe autoritetet u kërkuan njerëzve që të shmangnin kalimin në këtë zonë.
Darmanin tha se agresori i dyshuar u dëgjua duke bërë thirrje fetare dhe i tha policisë se ishte i mërzitur sepse shumë myslimanë po vdesin në Afganistan dhe në Palestinë. I dyshuari kreu katër vjet burg, pasi u dënua për planifikimin e një sulmi tjetër në vitin 2016 dhe ishte në listën vëzhguese të shërbimeve franceze të sigurisë. Ai gjithashtu kishte vuajtur nga çrregullime psikiatrike.
I dyshuari kishte në rrjetet sociale një video, ku kritikonte qeverinë franceze dhe thoshte se në botë po vdesin myslimanët. Presidenti francez Emmanuel Macron në X shprehu ngushëllim për viktimën. “Prokuroria kombëtare anti-terroriste tani do të jetë përgjegjëse për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje të rëndë, në mënyrë që drejtësia të vendoset në emër të popullit francez”, tha ai.
Ngjarja ndodh pak më tepër se 2 muaj, pasi një mësues u vra në një sulm me thikë në një shkollë të mesme në qytetin verior të Arras, duke bërë që qeveria franceze të vendosë vendin në nivelin më të lartë të alarmit të sigurisë kombëtare./Zëri.ai/