
SHBA-Presidenti Donald Trump ka reaguar në lidhje me mesazhet e shkëmbyera në aplikacionin e koduar “Signal” midis zyrtarëve të lartë të sigurisë kombëtare të SHBA-së, ku jepeshin detaje të operacioneve ushtarake kundër grupit Huthi në Jemen. Trump u shpreh se ka “besim të plotë” në ekipin e sigurisë kombëtare, duke minimizuar dëmet e rrjedhjes së informacioneve sekrete në media.
Ai e cilësoi këtë një “gabim” nga ana e stafit të këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz dhe theksoi se rrjedhja e të dhënave “nuk kishte asnjë ndikim” në operacionin ushtarak.
“Michael Waltz e ka marrë tashmë një mësim. Këshilltari i Sigurisë është një njeri i mirë,” tha Trump.
Mesazhet përmbanin informacione të detajuara mbi objektivat e sulmeve, armët që do të përdorte ushtria amerikane dhe komandën e operacioneve. Pjesë e grupit në Signal ishin figura të rëndësishme të administratës, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, Nënpresidentin JD Vance, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, Drejtoren e Inteligjencës Kombëtare Tulsi Gabbard, si dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Mike Waltz./ZËRI