
KOÇAN- Një vend i tërë në zi, një vajtim i pafund, i përzier me klithma zemërimi dhe inati, dhe një "pse" që shoqëron sa herë që përmendet tragjedia. Maqedonia e Veriut ka varrosur sot viktimat e zjarrit në një lokal nate në Koçan. Kjo është e vetmja temë, jo vetëm në lajme, por edhe në bisedat mes njerëzve në rrugë.
View this post on Instagram
Nga familjarët janë hapur 24 varre krah për krah për të pritur të vdekurit. Varrimi u bë sot në mesditë, në një atmosferë veçanërisht të rëndë, i kryesuar nga Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Maqedonisë së Veriut, Stefanos.

Mijëra njerëz shkuan në varrezat e Koçanit për t'u dhënë lamtumirën e fundit të vrarëve nga zjarri në disko. Pranë familjarëve të viktimave u vendosën edhe disa ambulanca. Personeli mjekësor i urgjencës ka intervenuar të paktën 6 herë, pasi familjarët e viktimave janë ndjerë keq dhe kanë humbur ndjenjat.
Si pasojë e një zjarri në një lokal nate në Maqedoninë e Veriut 59 humbën jetën dhe më shumë se 155 persona u plagosën. Në qytetin e Koçanit banorët kanë ndezur qirinj në parkun e qytetit për të vrarët nga zjarri në diskotekën “Pulse”. Viktima më e re ishte vetëm 14 vjeç. Deri më tani janë ndaluar 23 persona, mes të cilëve edhe zyrtarë shtetërorë, ndërsa mbrëmë janë caktuar masa e paraburgimit për dhjetë persona. Disa nga të dyshuarit janë lënduar nga zjarri dhe ndodhen në spital./ZËRI