PRISHTINË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kreun e partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë zhvilluar sot një takim që zgjati rreth dy orë, për të gjetur një rrugë të përbashkët për zgjedhjen e presidentit të ri.
Pas takimit, dy politikanët e kanë cilësuar bisedën si të frytshme, ku deri më tani është diskutuar vetëm për parimin që të mos shkohet në zgjedhje të reja.
Kurti tha për mediat se koha për zgjedhjen e presidentit është e kufizuar dhe kërkon angazhim maksimal nga të gjitha forcat politike parlamentare. Ndër të tjera, kryeministri i Kosovës theksoi se qëllimi është shmangia e zgjedhjeve të reja.
“Patëm takim afro dy orë. Diskutuam për situatën e re politike pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila na mundësoi të mblidhemi në Kuvend dhe të vazhdojmë me seanca plenare. Na kanë mbetur edhe tri javë deri te zgjedhja e presidentit dhe për këtë duhet t’i maksimizojmë përpjekjet. Jemi të përcaktuar për t’i shmangur zgjedhjet e reja, sepse nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh.
Me fjalë të tjera, është e vështirë të paramendojmë një fushatë zgjedhore ku i risjellim platformat dhe programet tona me po të njëjtat zotime, duke kërkuar sërish votën e të njëjtëve qytetarë për një rezultat që e dimë se nuk mund të jetë shumë ndryshe. Ne nuk e kemi më sfidë numrin prej 61 deputetësh për formimin e qeverisë, por është sfidë tejet e madhe që një parti të ketë 80 deputetë dhe të mund ta zgjedhë vetë presidentin”, tha ai.
Po ashtu, edhe Abdixhiku, pas takimit, theksoi se LDK-ja vazhdon të mbajë qëndrimin se pushteti nuk duhet të përqendrohet në një parti të vetme. Ndërsa shtoi se nuk ka një marrëveshje konkrete mes qeverisë dhe partisë që ai përfaqëson.
“LDK vazhdon të besojë që të tri pozitat nuk mund t’i takojnë një partie politike. Për çështje të tjera kemi dakordim për konfidencialitet mes palëve. Po provojmë të gjejmë zgjidhje të përbashkët konsensuale me takime dhe do ta ndjekim këtë rrugë sa herë të mundemi për të shmangur zgjedhjet.
Njëherë duhet të merremi me parimet e procesit, pra a duhet të kemi një situatë ku të gjitha pozicionet institucionale i takojnë një partie politike, e më pas, nëse jo, si do të duket kjo marrëveshje. Ende nuk kemi diskutime konkrete për pozicione. Diskutuam për natyrën dhe modalitetet e kësaj zgjidhjeje; nuk kemi emra konkretë dhe nuk kemi arritur në atë fazë”, tha kreu i LDK-së.
Diskutimet vijnë pas përfundimit të mandatit presidencial të Vjosa Osmanit, e cila i ka dorëzuar postin kryeparlamentares Albulena Haxhiu, e cila sipas Kushtetutës mandatohet deri në zgjedhjen e presidentit të ri. Kosova rrezikon zgjedhje të reja nëse brenda 28 prillit nuk zgjidhet presidenti i ri./ZËRI