
SHBA- Ish-ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim është emëruar në postin e Këshilltares së Lartë për Efiçencë dhe Përgjegjësi, në Departamentin amerikan të Shtetit (DASH). Lajmi është bërë i ditur nga DASH, duke njoftuar dhe pozicionin e saj të ri. Këshilli i Lartë për Efiçencë dhe Përgjegjshmëri është krijuar së fundmi në DASH.
Njoftimi i DASH:
Yuri Kim është Këshillare e Lartë për Efiçencë dhe Përgjegjësi për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike. Më parë, ambasadorja Kim ishte Zëvendës Ndihmës Sekretare Kryesor i Byrosë nga viti 2023 deri në vitin 2025.
Një diplomate karriere, ambasadorja Kim ka punuar në sfidat kryesore të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në Europë, Azi dhe Lindjen e Mesme. Ajo ishte ambasadore e SHBA në Republikën e Shqipërisë nga viti 2020 deri në vitin 2023, e emëruar nga Presidenti Trump dhe në vazhdim nën Presidentin Biden. Para kësaj, ajo ishte drejtore e Çështjeve të Europës Jugore, përgjegjëse për Turqinë, Greqinë, Qipron dhe rajonin e Mesdheut Lindor; drejtore e Qendrës për Studimin e Sjelljes së Diplomacisë; dhe drejtore e Zyrës së Sigurisë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake, përgjegjëse për NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Ajo ishte Shefe e Shtabit të Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe, më herët në karrierën e saj, Asistente Speciale e Sekretarit Colin Poëell. Ajo ishte gjithashtu një anëtare e delegacion të SHBA në Bisedimet Gjashtëpalëshe për çështjen bërthamore të DPRK-së. Detyrat jashtë shtetit përfshijnë Turqinë, Irakun, Republikën e Koresë, Japoninë dhe Kinën. Yuri Kim ka një B.A. nga Universiteti i Pensilvanisë dhe një M.Phil. nga Universiteti i Kembrixhit. Ajo u rrit në ishullin Guam.
Një ditë më parë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi Yuri Kim se është përfshirë në korrupsion dhe kërkoi hetim ndaj saj. Madje, kryedemokrati në një prononcim për mediat pretendon se ka dosje për të.
“Nuk kam asnjë lajm të sigurt, përveç lajmeve që janë botuar, se ajo është shkarkuar ose jo. Ajo çfarë unë them, ajo në deklaratat e mia ka qenë diplomate e korruptuar dhe unë kam ftuar FBI-në, kam ftuar Kongresin të hetojnë për korrupsionin e saj dhe ato informacione që unë disponoj, jam i gatshëm të ua vë në dispozicion”, tha Berisha./ZËRI