
SHBA- Fetullah Gylen, armiku i përbetuar i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare në SHBA. Njoftimi për vdekjen e tij është bërë në faqen e internetit Herkul.org, ku shkruhet se Gyleni dha frymën e fundit në një spital në Pensilvani. Gulen ishte akuzuar nga qeveria Erdogan për organizimin e një grushti shteti në vitin 2016 në Turqi, kështu ishte kthyer në armikun e tij të përbetuar.
Por para se të ishte në krye të listës të personave më të kërkuar për ekstradim nga Turqia, Gulen ishte më parë një aleat i Erdoganit, madje dhe mik i ngushtë. Por marrëdhëniet midis dy burrave u përkeqësuan në vitin 2013 kur Erdogan akuzoi Gulenin për nxitjen e hetimeve ndaj korrupsionit, që implikonin dhjetëra zyrtarë të qeverisë dhe partisë në pushtet. Edhe pse aleat me Erdogan, Gulen kishte një version më të "butë" drejtimi.
Lëvizja e Gylenit është përshkruar si "Islam i moderuar" dhe vetë Gylen dhe ndjekësit e tij përdorin strukturat e tregut dhe teknologjisë dhe janë përdorues aktivë të mediave sociale, teknologjive dixhitale dhe marrëdhënieve me publikun. Brenda Turqisë lëvizja mban distancë nga partitë politike islame të themeluara. Po ashtu, Lëvizja Gulen ka qindra shkolla në Turqi dhe vende të tjera dhe më parë është akuzuar për infiltrim dhe ndikim në policinë turke.
Fetullah Gylen përmes syve të "Perëndimit"
Fethullah Gulen ka lindur në Pasinler në Erzurum, Turqi më 27 prill 1941. Ai vetë ishte shkrimtar dhe ish-predikues. Ai ishte imam nga viti 1959 deri në vitin 1981. Gjatë "karrierës" së tij, ai ka mbrojtur dhe predikuar versionin e 'butë' të Islamit. Mediat perëndimore si BBC e paraqitën atë "si një imam që promovon një islam tolerant që thekson altruizmin, punën e palodhur dhe edukimin".
Por ndryshe nga sa konsiderohej në Perëndim, qeveria turke e kishte cilësuar si terrorist dhe kërkonte ekstradimin e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës...ekstradim që nuk ndodhi kurrë. Përveç Turqisë, ai kërkohej si udhëheqës "terrorist" në Pakistan, si dhe nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik./ZËRI